Kërcënojnë të hedhin hije mbi bashkëpunimin për COVID, përplasje SHBA-Kinë-Rusi

Përplasjet në rritje midis Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër u shfaqën hapur të enjten në periferitë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke kërcënuar të hedhin hije mbi bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me koronavirusin.

Asambleja e këtij viti është mbajtur në internet për shkak të pandemisë dhe fokusi i saj ka qenë përballja me COVID-19 përmes veprimeve të efektshme shumëpalëshe.

Në një aktivitet periferik në Këshillin e Sigurimit për këtë temë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres shprehu shqetësimin se pandemia po shpaloset në një sfond “tensionesh të larta gjeopolitike”.

“Pandemia është një provë e qartë e bashkëpunimit ndërkombëtar, një provim që ne nuk e kemi kaluar në thelb,” tha zoti Guterres në videokonferencën e organit më të fuqishëm të OKB-së. Tensionet u shfaqën hapur në Këshillin e Sigurimit, ndërsa ministrat e jashtëm të Kinës dhe Rusisë folën për mosmarrëveshjet e tyre me Shtetet e Bashkuara.

“Në një moment kaq sfidues, vendet e mëdha kanë një detyrim akoma më të madh që të vendosin të ardhmen e njerëzimit në plan të parë, të hedhin poshtë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimin ideologjik si dhe të bashkohen në frymën e partneritetit për të kapërcyer vështirësitë”, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Homologu i tij rus tha se diferencat midis disa vendeve janë ringjallur dhe rritur nga ndikimi i virusit.

“Një numër shtetesh tundohen gjithnjë e më shumë të kërkojnë jashtë vendit për të gjetur përgjegjësit për problemet e tyre të brendshme,” tha Sergej Lavrov. “Ka përpjekje të dukshme nga shtetet e veçanta për të përdorur situatën aktuale për të promovuar interesa të tyret kalimtare dhe për të larë hesape me qeveritë e padëshiruara ose rivalët gjeopolitikë,” tha ai.

Disa aleatë të SHBA ishin gjithashtu kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe administratës Trump.

Potenciali për bashkëpunim

“Ne duhet të përqendrohemi në potencialin pozitiv të bashkëpunimit në vend që t’i vendosim vendet tona në plan të parë”, tha ministri gjerman i Shtetit Niels Annen. “Nëse dikush nga ne dështon, të gjithë dështojmë.”

Ambasadorja amerikane Kelly Craft u tregua e prerë në përgjigjen e saj, duke iu drejtuar të gjithë këshillit me fjalët: “Turp për secilin prej jush” që përqendroheni “te inatet politike”. Ajo vuri në shënjestër Kinën dhe përsëriti qëndrimin e fortë të Presidentit Donald Trump se Pekini duhet të mbajë përgjegjësi si burim i pandemisë.

“Veprimet e Partisë Komuniste Kineze provojnë se jo të gjitha vendet anëtare janë të përkushtuara në mënyrë të barabartë për shëndetin publik, transparencën dhe detyrimet e tyre ndërkombëtare,” tha ajo. “Ky fakt duhet të shqetësojë thellë të gjitha vendet e përgjegjshme të botës që po punojnë me mirëbesim për të mposhtur COVID-19 dhe për të parandaluar pandemitë në të ardhmen.”

Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, u kundërpërgjigj, duke i thënë zonjës Craft: “Mjaft më”. Duke pranuar se vendi i tij ishte i pari “që u godit” nga virusi, ai tha se (Kina) kishte dhënë një kontribut të madh në përgjigjen globale.

Ai vuri në dukje se SHBA ka gati 7 milion nga pothuajse 32 milion rastet e konfirmuara të virusit në botë dhe 200,000 vdekje.

“Shtetet e Bashkuara duhet të kuptojnë se dështimi i tyre në trajtimin e COVID-19 është krejtësisht faji i tyre,” tha ambasadori kinez.

Tensionet në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit kanë qenë të dukshme këtë javë në fjalimet e udhëheqësve të tyre në Asamblenë e Përgjithshme dhe në aktivitetet periferike në OKB.

Kina, në shënjestër për virusin

Të martën, Presidenti Trump i tha Asamblesë se Pekini duhet të “mbajë përgjegjësi” për faktin që bëri bllokimin (e qyteteve) në ditët e para të virusit, por duke lejuar që udhëtimet ajrore nga Kina të vazhdonin “dhe të infektonin botën”.

Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo gjithashtu vuri në shënjestër Kinën këtë javë, duke thënë se administrata është në procesin e përcaktimit se si ta etiketojnë shtypjen e Pekinit ndaj muslimanëve ujgurë – si “krime kundër njerëzimit” apo si “gjenocid”. Terma të tillë kanë peshë të madhe në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet mes vendeve.

Ndërkaq, në komentet drejtuar Uashingtonit, Presidenti i Kinës Xi Jinping dënoi përpjekjet për ta politizuar ose stigmatizuar virusin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi