“Kanadaja është partner strategjik i Kosovës”

Në kuadër të vizitës së tij në Kanada, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau.

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi Thaçi është shprehur se Kosova “do të jetë përherë mirënjohëse për përkrahjen e Kanadasë për këtë vend.”

“Jemi falënderues për përkrahjen për refugjatët gjatë luftës, por edhe në ndërtimin e shtetit tonë të lirë e demokratik dhe konsolidimin e tij në botë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se “Kanadaja është partner strategjik i Kosovës”.

Ai po ashtu ka theksuar se Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e Kanadasë në ndërtimin e shoqërive shumë-kulturore e gjithëpërfshirëse. “Ndajmë parime dhe vlera të njëjta. Mund të mësojmë nga përvoja e Kanadasë në ndërtimin dhe promovimin e këtyre vlerave”, ka theksuar Thaçi.

Kurse nga ana e tij kryeministri Trudeau u shpreh se Kanadaja do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën, duke shtuar se “Kanadaja do të qëndrojë përkrah Kosovës përgjithmonë.”

Kujtojmë se Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe ministri për Tregti Ndërkombëtare i Kanadasë François-Philippe Champagne sot në Kanada nënshkruan Letrën e Qëllimit të Mirë për Marrëveshjen për Mbrojtje të Investimeve./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi