Juventusi, një hap larg Cancelos. Barça interesohet për Pjaniç

Merkatoja e futbollit është nxehur së tepërmi në aksin Itali-Spanjë. E nëse Cancelo mund të rikthehet sërish në vendin e Apenineve nga Valencia, një mesfushor energjik si Pjaniç mund të lërë kampionët e Juventusit, i vënë në qendër të vëmendjes së Barcelonës.

Sipas medieve katalanase, Barça ka zhvilluar kontaktet e para me boshnjakun, për të cilin ka shfaqur interes të madh. Miralem Pjaniç ndihet mirë në Torino, por nuk mund t’i thotë “Jo” një propozimi të mundshëm për transferimin në “Camp Nou”.

Gjithsesi, Barçës i duhet të bindë Juventusin për t’u privuar nga shërbimet e tij, gjë që nuk duket e lehtë, për sa kohë që nuk troket me një ofertë të parefuzueshme që vërtitet rreth 65 milionë euro.

Ndërkohë, thuajse e kryer është çështja për Joao Cancelon. Marotta dhe Paratici duket se kanë vendosur të kënaqin kërkesën e Valencias prej rreth 40 mln eurosh, për mbrojtësin anësor që vjen nga një eksperiencë tejet pozitive si i huazuar tek Interi.

Megjithatë, ende nuk ka një ofertë, e cila duhet të përcaktohet. Hipotezat nuk mungojnë, gjithsesi, e ndoshta mund të ofrohen 35 mln euro menjëherë plus bonuset në varësi të rezultateve, ose ajo që shihet si më e përshtatshmja: 10 mln euro në arkat e valencianëve brenda fundit të qershorit dhe huazim me detyrim blerjeje në kuotën e 30 mln eurove./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi