“Ju tregoj pse në komunizëm nuk ndërtoheshin godina të larta”, flet gjeologu. Bën thirrje për…

Tërmeti i 26 nëntorit rrëzoi perdet dekorative të qeverisë shqiptare.

Brenda strukturës shtetërore, u panë qartë specialistët e ndërtimit të lënë jashtë tryezës organizative të shtetit dhe lëkundja me magnitudë 6.4 e shkallës righter, zbuloi sipas gjeologut Ylber Muceku “një Shqipëri me ndërtime kaotike dhe pa planifikim urban”.

Në Durrës ku ishte edhe epiqendra e tërmetit, u inspektuan më shumë se 700 objekte, prej të cilave 237 janë klasifikuar si të pabanueshme.

Ndërsa dhjetëra shtëpi po shemben, hipotezat për përmasat e kësaj katastrofe që prek edhe qytete si Tirana, Lezha etj., janë të shumta. Dikush fajin ia hedh truallit, ndërtimit në të ashtuquajturat zona “të ndaluara”, por nga ana tjetër, mbijetesa e objekteve me lartësi të mëdha në këto hapësira lë vend për dyshime të tjera.

Muceku, ekspert në studimin e tokës shpjegon për “Panoramën” të vërtetën e këtyre hipotezave. Sipas tij, për rrënimin e objekteve në fjalë, nuk mund t’i hidhet faji truallit, por mungesës së studimeve gjeologjike, sizmike dhe projektimeve të paplanifikuara.

Përpos kësaj, në terrene “të vështira” kërkohet investim me kosto të lartë. Ndaj, për ndryshimin e situatës aktuale, ai ngre alarmin për angazhimin e ekspertëve në studime të mirëfillta e kërkime shkencore.

Kërkime që sipas tij nuk kanë munguar as në periudhën e komunizmit, kur janë bërë studime të standardeve të larta. Lidhur me këtë periudhë, specialisti tregon edhe rastin e vitit 1979, kur në Shkodër u ndje tërmeti me magnitudë 6.9 i shkallës righter, që rrënoi mbi 17 mijë objekte. “Pas katastrofës, banorët në më pak se 6 muaj ishin të gjithë brenda në shtëpitë e reja”, tregon ai.

Gjeologu shpjegon gjithashtu, se arsyeja kryesore se pse gjatë periudhës së diktaturës nuk ndërtoheshin objekte me lartësi të mëdha është aspekti ekonomik.

Zoti Muceku, pas tërmetit të 26 nëntorit janë sjellë në vëmendje të gjitha rastet e goditjeve të forta sizmike në vendin tonë, por a është Shqipëria një vend sizmik?
Që Shqipëria është një vend sizmik aktiv, ky është një fakt që dihet.

Duke iu referuar studimeve të profesorëve dhe kolegëve tanë, mund të konstatoj se Shqipëria është një vend sizmik që futet në brezin e Mesdheut. Historikisht në vendin tonë ka pasur tërmete.

Përmend këtu rastin e Durrësit në vitin ‘58 pas Krishtit, mandej në vitin 1905 ndodhi një tjetër tërmet në Shkodër me magnitudë 6.5 i shkallës righter. Një tërmet i tillë ndodhi në këtë qytet 25 vite më pas, në 1930-ën. Mandej, në 1979-ën, Shkodra dhe gjithë Shqipëria ndjenë edhe goditjen më të madhe sizmike me magnitudë 6.9, edhe pse ka shkencëtarë që pohojnë se lëkundja ka qenë më e fortë, deri në 7.2.

Nëse ndalim te tërmeti i ’79-ës, që u ndie në Shkodër, ku krahas 40 viktimave pati edhe 17.118 shtëpi të rrënuara. A është i vërtetë fakti se këto ndërtesa janë ndërtuar në më pak se 6 muaj?

Është e vërtetë, shtëpitë u rindërtuan brenda një periudhe të shkurtër, edhe sepse ato nuk kanë qenë shumë të mëdha. Flasim për shtëpi private, njëkatëshe, të cilat u ngritën sërish në zonat kodrinore. Brenda 6 muajsh, të gjithë të prekurit nga tërmeti ishin brenda në shtëpi. Lagjet që u rindërtuan, ishin shumë të bukura për kohën.

Ju po thoni se shtëpitë ishin thuajse të gjitha njëkatëshe, në fakt, në periudhën e komunizmit, lartësia e godinave ishte e kufizuar. Shumica prej tyre nuk i kalonte 4-5 kate. A ka ky fakt lidhje me shmangien e rreziqeve të mundshme, siç është edhe tërmeti?

Arsyeja kryesore pse në komunizëm nuk ndërtoheshin godina të larta, lidhet me aspektin ekonomik. Pra, nuk kishte mjaftueshëm buxhet për të harxhuar. Gjatë asaj periudhe, në Amerikë janë ndërtuar gradaçela. Po ashtu, në Azinë e Mesme (Katar, Dubai etj.) po ndërtohen ndërtesa shumë të larta, po sigurisht që nisma të tilla kërkojnë bazamente shumë të forta, çka do të thotë se kanë edhe kosto të larta.

Gjatë kësaj periudhe posttërmeti, është vënë në diskutim vendi ku ndërtohet, ku është folur edhe për truall të papërshtatshëm. Sipas jush, a ka zona ku nuk duhej ndërtuar për shkak të truallit?

Problemi kryesor për sa u përket ndërtimeve, është njohja e vendit ku do ngresh objektin e planifikuar. Unë jam i kësaj fushe dhe aty ku ka dhera, e studioj truallin deri në 30 metra thellësi.

Një objekt deri në këtë thellësi, krijon marrëdhënie me truallin, mandej sjellja apo ndjeshmëria e truallit tej 30 metrave thyhet, nuk përçohet më tutje.

Nëse trualli nuk është i përbërë nga dheu, duhet parë edhe më tej. Prandaj është me rëndësi të studiohet në mënyrë të detajuar trualli në aspektin gjeologjik, por dhe në atë sizmologjik më pas. Pasi të merret informacioni i duhur për këto dy aspekte, duhet të bëhet projekti.

Për sa i përket ndërtimit të objektit, pjesa më e rëndësishme është mbështetja në tokë. Nëse themeli është në truall të mirë, kostoja nuk është e lartë. Mandej, nëse flitet për një truall jo të mirë, jo se nuk ndërtohet, por kostoja është më e madhe, pasi duhet llogaritur edhe vlera për përmirësimin e kushteve gjeologjike të truallit. Pra, është kjo arsyeja se pse urbanistët nuk zgjedhin të ndërtojnë në një truall të dobët, për shkak të kostos.

Ju po përsërisni domosdoshmërinë e njohjes së truallit dhe masat që duhet të merren në ndërtim, sa mund të flitet sot për planifikim urban në Shqipëri?

Ne kemi pasur një traditë shumë të mirë. Unë vetë kam punuar në Institutin Shkencor, ku kemi bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me Institutin Sizmologjik. Në atë kohë është bërë një studim shumë i mirë nga inxhinierë të gjeologjisë me sizmologët. Kanë qenë studime bazë, me shumë rëndësi për planifikimin.

Sot, për fat të keq nuk ka planifikim. Janë bërë punime dhe ndërtime në mënyrë kaotike. Pas vitit ’90, shteti ishte shumë i dobët, ndaj nuk është kontrolluar territori ku është ndërtuar. Jo më kot sot ne jemi në këtë gjendje.

Në atë sistem janë bërë studime shumë të detajuara me një kosto shumë të madhe, që sot janë shumë të vështira për t’u bërë. Mirëpo shteti në atë kohë i bënte. Sot, qytetet kanë pësuar shumë ndryshime, duke kaluar jashtë kontureve të atyre studimeve, ndaj është e domosdoshme që të rifillojë ajo lloj tradite.

Zoti Mucaku, paniku i shkaktuar nga lëkundjet e forta sizmike, bën të besueshme edhe hipotezat më naive. Kemi dëgjuar gjatë këtyre ditëve se tërmeti i 26 nëntorit mund të jetë shkaktuar artificialisht, pra nga vetë njeriu, ndërhyrjet, ndërtimet e bëra. Sa i mundur është një fakt i tillë?

Ndërhyrjet e njeriut, ndërtimet që janë bërë, janë ngarkesa të vogla. Nëse ne si gjeologë bëjmë studime deri në 30 m, tërmeti mund të ndodhë në 40 km apo thellësi edhe më të mëdha. Pra, ndërtimet s’mund të jenë faktor ndikues. Një objekt, sado i rëndë të jetë, nuk mund të ketë impakt në më shumë se 30 m, ky është një fakt shkencor i vërtetuar.

Ju, si dhe kolegët tuaj, pohoni se Shqipëria është një vend sizmik. A do të thotë kjo se duhet të ndërgjegjësohemi për mundësinë e goditjeve të tjera sizmike?

Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se jetojmë në një vend sizmik dhe në njëfarë mënyre duhet të bashkëjetojmë me tërmetet. Tërmeti është një fenomen, si të gjitha dukuritë e tjera natyrore. Sizmologët kanë folur gjatë këtyre ditëve për zonat e pritshmërisë, ku mund të ketë përsëritje tërmetesh.

Sa do jetë koha deri te lëkundja e radhës?

Mbetet për t’u parë, pasi është shumë e vështirë që tërmetet të parashikohen. Mirëpo, bazuar në historinë e tërmeteve, mund të thuhet se 95% e tyre janë pasuar me pasgoditje, ku goditja më e madhe që ka rënë, ka qenë te 6,3 apo 6,4. Nuk ka pasur pasgoditje më të mëdha, janë shumë të rralla ato që e kanë kaluar këtë magnitudë.

Referuar sizmologëve, tërmetet do të vijnë drejt shuarjes, por për këtë duhet njëfarë kohe.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi