Ju flet kardiologu: Temperaturat e ulëta, kujdesi që duhet të tregojnë të sëmurët me zemër e hipertension!

KosovaPost është interesuar të mësojë për të ftohtit se si ndikon në shëndetin e njeriut. Posaçërisht ka hulumtuar shkaqet dhe pasojat e ndikimit të të ftohtit në zemër. Ka mësuar, se, për ekspertët e shëndetit, i ftohti dhe të moshuarit është një kombinim tejet i rrezikshëm, madje më shumë nga ç’mund të mendohet. Kjo, sepse mosha e tretë është më e ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta. Gjatë kësaj periudhe, predispozitë kanë që të shfaqen edhe sëmundjet e zemrës, shkruan KosovaPost

Mjekja kardiologe, Daniela Teferici nga Shqipëria thotë se gjatë stinës së dimrit, zemra vihet në kushte më të vështira pune për shkak të ngushtimit të enëve të gjakut. “Në rast se një person del në të ftohtë në mëngjes dhe përjeton dhimbje shtrënguese apo ngërç që nuk ka ekzistuar më parë, kjo është një kambanë alarmi që personi duhet të vizitohet te kardiologu. Është tipike sepse gjatë të ftohtit, ndodh ngushtimi i arterieve”, pohon doktoresha, e cila na njeh edhe me masat që duhen marrë. Mbajtja nën kontroll e faktorëve të rrezikut siç janë duhanpirja, stili i jetesës etj., janë me rëndësi për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

Me stinën e ftohtë nisin edhe problemet me shëndetin. Kur flasim për sëmundjet e zemrës, hipertensionin, sa predispozitë kanë që të shfaqen gjatë kësaj periudhe…

Stina e dimrit është armiku i pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Themi armiku, sepse i ftohti zbulon një person që mund të ketë ngushtim të enëve të gjakut, por që nuk e di sepse nuk ka pasur më parë shqetësime. Me ardhjen e stinës së ftohtë, dalin në pah edhe ankesat. Kurse personave që janë të diagnostikuar me sëmundje kardiake, me ngushtim të enëve të gjakut, gjatë stinës së dimrit, u shtohet terapia, duke qenë se edhe shqetësimet janë më të mëdha. Kur flasim për sëmundjet kardiake, kryesisht flasim për sëmundje të arterieve koronare. I ftohti është armiku numër një i personave që vuajnë nga kjo patologji. Tek ata persona që janë të padiagnostikuar nis të shfaqet dhimbja e gjoksit, e cila me kalimin e kohës nis të agravohet. Nga ana tjetër, kjo ka pozitive faktin që jep sinjale, pra, shenja që këtu diçka nuk shkon. Në rast se një person del në të ftohtë në mëngjes dhe përjeton dhimbje shtrënguese,apo ngërç që nuk ka ekzistuar më parë, kjo është një kambanë alarmi që personi duhet të vizitohet te mjeku kardiolog. Është tipike sepse gjatë të ftohtit ndodh ngushtimi i arterieve.

Pse dalin në pah ankesat gjatë të ftohtit?

Ankesa kryesore është dhimbja dhe kjo ndodh sepse në të ftohtë, sistemi arterial i trupit pëson ngushtim. Ngushtohet për të ruajtur furnizimin me gjak të organeve vitale siç është zemra, truri. Gjithashtu, gjatë stinës së ftohtë, në mënyrë që të shpërndahet sa më shumë gjak në tru, zemra rrit edhe hedhjen e gjakut. Njëkohësisht, ndodh edhe ngushtimi i enëve të gjakut për të ruajtur këtë shpërndarje të gjakut nëpër trup dhe në organet vitale. Zemra ushqen të gjithë organizimin me gjak, nga ana tjetër ushqen edhe veten e vet me gjak.

Ato që ushqejnë zemrën me gjak, janë arteriet koronare, që kur bllokohen, ndodh infarkti i miokardit. Gjatë stinës së ftohtë, te pacientët ne vërejmë edhe rritje të tensionit. Pacientët që marrin mjekim dhe që kanë qenë të stabilizuar në stinën e verës, kanë rritje të tensionit arterial. Ne mundohemi që të shtojmë terapinë. Ose pacientët që mund të kenë një hipertension të stadit të parë dhe nuk e kanë kuptuar sepse nuk i ka dhënë shenja, bëjnë kriza hipertensive që shkon 100 me 200. Dhe kjo ndodh në stinën e dimrit. Në stinën e verës, tensioni është i normalizuar, për pasojë ne na ndodh t’i pakësojmë medikamentet.

Pra, pacientët që vuajnë nga sëmundjet kardiake, duhet patjetër të marrin një mjekim të shtuar gjatë kësaj periudhe?

Kjo duhet në konsultë me mjekun kardiolog. Çdo hap ndërmerret në varësi të kontrollit që ne bëjmë. Gjatë stinës së dimrit, zemra vihet në kushte më të vështira pune për shkak të ngushtimit të enëve të gjakut. Një pjesë e madhe e pacientëve tanë njëkohësisht janë me sëmundje zemre, diabetikë dhe hipertonikë.

E bën më të vështirë mjekimin kjo?

Patjetër, e bën më të keqe prognozën. Një pacient që është diabetik, hipertonik, ka gjasa shumë më tepër që të bëjë sëmundje të arterieve koronare, infarkt miokardi sesa një tjetër që nuk ka hipertension apo diabet. Këta janë faktorë rreziku që çojnë në dëmtimin e zemrës. Përveç diabetit dhe hipertensionit, faktor rreziku madhor është edhe stili jetesës, ku bëjnë pjesë mënyra e të ushqyerit dhe aktiviteti fizik. Duhani është një tjetër faktor risku që dëmton enët e gjakut. Pa harruar edhe yndyrat. Të gjitha këto cilësohen si “armiqtë” e zemrës. Një person, tek i cili bashkekzistojnë dy tre apo edhe më shumë faktorë rreziku, probabiliteti për të bërë sëmundje të zemrës është shumë më i madh sesa një person që nuk i ka këta faktorë rreziku. Pa diskutim, është edhe geni, trashëgimia, por që ne nuk mund ta modifikojmë dot.

Përmendët pak më parë që ndikon edhe për të zbuluar sëmundjen për ata pacientë që nuk janë të diagnostikuar…

Po. Këtë periudhë konstatojmë po ashtu rritje të numrit të pacientëve që i drejtohen urgjencës apo pavijoneve të kardiologjisë për të marrë trajtim të specializuar. Ka shumë me tepër fluks në raport me stinën e verës.

Cilat janë grupmoshat?

Vetë mosha përbën një faktor rreziku. Te mosha e tretë, ne e presim që të ketë ngushtim të enëve të gjakut apo infarkt miokardi. Ajo që është jonormale është që kjo gjë ndodh që edhe në moshat më te reja, 30 apo 40-vjeçarë.

Ka një arsye pse ndodh kjo?

Kjo ndodh sepse Shqipëria zë vendin e parë në Europën Juglindore sa u përket faktorëve të rrezikut, stilit të dëmshëm të jetesës. Stili i jetesës ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme vitet e fundit. Ndërkohë që vendet e tjera të Ballkanit kanë reflektuar duke modifikuar stilin e jetës, shqiptarët ende nuk janë ende të ndërgjegjësuar. Informacioni është i madh, por marrja e tij lë shumë për të dëshiruar. Ndërkohë që këto vende kanë arritur të ulin vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare, me ne ka ndodhur e kundërta.

Ndalemi te kujdesi që duhet të tregojnë të sëmurët kardiakë dhe ata që diagnostikohen rishtazi. Çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo?

Me rëndësi është të parandalohet dhe kjo mund të arrihet duke mbajtur nën kontroll faktorët e rrezikut. Si parandalim primar është pa u shfaqur sëmundja dhe parandalimi sekondar, që është pasi është shfaqur dhe trajtuar sëmundja, janë shumë të rëndësishme. Kjo nënkupton mjekimin e diabetit te personat diabetikë, mjekimin e hipertensionit te personat hipertonikë dhe në modifikimin e stilit të jetesës. Kemi shumë pacientë, që bëjnë një jetë totalisht ndryshe para se t’u ndodhte infarkti dhe janë në gjendje më të mirë shëndetësore sepse kanë renë në peshë, kanë lënë duhanin dhe kjo reflektohet jo vetëm në shëndetin kardiak, por edhe në pamje. Te personat që janë të diagnostikuar, me rëndësi është trajtimi medikamentoz, që shkon paralelisht me modifikimin e stilit të jetesës. E them këtë sepse një person që ka kaluar infarkt, nuk mund të vazhdojë me karbohidrate, pra, duke konsumuar ushqime jo të shëndetshme përfshirë edhe ëmbëlsirat. Sa më shumë aktivitet fizik, sa më pak mish, yndyra shtazore dhe jo duhan.

Sa u takon daljeve në ambient të hapur, çfarë mund të këshilloni?

Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiake, duhet të pakësojnë ekspozimin në të ftohtë, kjo sepse zemra do të fillojë të punojë më shpejt, në mënyrë që të shpërndajë sa më shumë gjak për të përballuar të ftohtin e për të mbajtur një temperaturë konstante. Po ashtu, do të rekomandoja që të vishen mirë. Këto janë masat që duhen marrë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi