Jetët e tjera të Çërçillit: bastexhiu që shpëtoi Perëndimin!

Historianët dhe një pjesë e mirë e publikut tashmë e dinë mirë që Uinston Çërçilli shpesh ndërmerrte baste madhore në jetën e tij politike. Disa nga këto gara me fatin ai i perceptoi gabim, si për shembull fushatën katastrofike të Dardaneleve – një përpjekje e frikshme që ai ideoi me Admiraliatin për të kapur ngushticën e Galipolit dhe për të nxjerrë jashtë Turqinë nga lufta e parë botërore. Të tjera, më e njohura, vendimi i tij si kryeministër në vitin 1940 për të rezistuar ndaj Gjermanisë naziste deri sa Amerika të vinte në ndihmë të Britanisë, ai e konceptoi drejt në mënyrë spektakolare. Por, masa në të cilën Çërçilli luante me fatin, si një bixhozxhi në sfera të tjera të jetës së tij ka pasur prirjen t’i shpëtojë vëmendjes së biografëve.

Dy libra të rinj përpiqen ta mbushin këtë boshllëk. I pari “Jo më shampanjë” nga David Lough, bankier i shndërruar në historian, hedh një vështrim mbi financat personale të Çërçillit gjatë ngritjeve dhe uljeve të karrierës së tij. Është e para biografi që fokusohet në këtë aspekt të jetës së tij. Historiani ka rrëmuar mes shumë llogarive personale të Çërçillit dhe gjeti se ai merrte po aq shumë rrezik përsipër kur vinte puna për paratë e tij, sa edhe kur merrte vendime me Admiraliatin apo në Downing Street.

Edhe pse Çërçilli e kishte prejardhjen nga dukët e Marlborout, prindërit e tij kishin “shumë pak para nga të dyja anët” – edhe pse kjo kurrë nuk i ndaloi të kishin një stil të lartë jetese. Kjo as nuk e pengoi në ndonjëfarë mënyre të riun Çërçill: ai shpenzoi furishëm për gjithçka që nga ponit për polo e deri tek cigaret Havana, një zakon që ai e mori kur ishte korrespondent lufte në Kubë. Në të vërtetë, midis viteve 1908 dhe 1914, familja e Çërçillit shpenzoi një mesatare prej 1160 paundësh vetëm për verëra të vjetra në vit – që me vlerën e sotme do të ishte 104 mijë paundë apo 145 mijë dollarë.

Nuk është habitshme, pra, që Çërçilli e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke kapërcyer nga një krizë parash kesh në tjetrën, duke qenë përherë vonë në shlyerjen e faturave.

Një tjetër libër, “Uinston Çërçill në raportim”, nga Simon Read, gazetar amerikan, shqyrton një nga mënyrat që Çërçilli përdori për të paguar disa prej këtyre faturave: të shkruarit. Gazetari Read investigon sesi Çërçilli kaloi nga një kadet i ri i ushtrisë në korrespondentin më të paguar të luftës në Britani në moshën 25-vjeçare, duke e marrë “vesin” e gazetarisë për gjithë pjesën tjetër të jetës.

Emri Çërçill me siguri që e ndihmoi atë të hapte disa dyer të drejtorëve të gazetave në Londër. Por, ishte vullneti i reporterit të ri për të ndërmarrë rrezikun në fushëbeteja në të gjithë botën që e veçoi kolonën e tij në gazetë nga ato të bashkëkohësve të tij.

Duke vizituar Kubën në vitin 1895, gjatë luftës së saj të pavarësisë nga Spanja, ai udhëtoi i patrazuar përmes disa prej territoreve më të rrezikshme të ishullit ndërsa shkruante për “Daily Graphic”. Një vit më vonë, regjimenti i tij u transferua në Indi, ku ai luftoi me tribunë Pashtun në kufirin me Afganistanin, duke shkruar artikuj për “The Daily Telegraph” nga një vrimë dhelprash e spërkatur me gjak në fushëbetejë. Ai më pas u dërgua në Sudan, ku mori pjesë në sulmin e fundit të madh ushtarak të kavalerisë, në betejën e Omdurman-it në vitin1898.

Pasi humbi ngushtë zgjedhjet në Oldham, ai u rikthyer në prirjen gazetareske si korrespondent lufte në Afrikën e Jugut për “Morning Post” gjatë luftës së dytë Boere të viteve1899-1902. Prej aty ai kapi titujt e parë si personazh: ai u kap rob nga boerët ndërsa shoqëronte një ekspeditë zbulimi në një tren të blinduar. Edhe kjo nuk e ndaloi Çërçillin, i cili shpejt u arratis nga kampi i robërve të luftës, duke udhëtuar pothuajse 300 milje drejt sigurisë së Afrikës Lindore portugeze.

Ashtu si vëren Read, në kohën e kthimit të tij nga Afrika, Çërçilli kishte mbledhur më shumë se 4 mijë paundë nga shkrimet e veta.

“Me ekonomiste”, i tha ai të vëllait, “shpresoj që këto para të më mbajnë gjatë viteve të vështira”. Por ai u rikthye në zakonet e vjetra në vitet që pasuan. Ekstravaganca e dukshme përfshinte edhe humbje të mëdha parash në kazinotë e Monte Karlos dhe vendosja e basteve se aksionet do të vijonin rritjen kur Ëall Street ra në krizë.

Çërçilli nuk vazhdoi të shkruante thjesht për aventurë apo dëshirë: ai e bënte këtë për të përballuar shpenzimet. Por, edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme. Ai kërkoi pagesa ndihme nga miqtë e pasur në vitet 1938, 1940 dhe 1946 për t’i shpëtuar falimentimit.

Të dy librat arrijnë të nxjerrin narrativën e tyre për Çërçillin, aventurier dhe bixhozxhi, në mënyrë elegante. Dhe sa për biografinë financiare, libri rezulton të jetë mjaft tërheqës për t’u lexuar.

Megjithatë, të dy autorët vetëm sa e prekin në vlerësimet e tyre lidhjen midis personalitetit të Çërçillit dhe vendimeve të rëndësishme që ai mori në detyrë – dhe vetëm me terma të vagët.

Një aspekt që mungon do të ishte ai i episodeve të vazhdueshme të depresionit që mund të kenë kontribuar në impulsivitetin dhe marrjen përsipër të rrezikut. Edhe pse historitë e të dy librave ia vlejnë të tregohen, ato ia lënë çështjet më të mëdha për Çërçillin, historianëve të tjerë.

Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi