Jeta e bilbilit kaloi duke migruar në Turqi

Një bilbil, jetëgjatësia mesatare e të cilit është 8 vite dhe që peshon 24 gram, nga Afrika ku ka kaluar dimrin për 7 vite, ka migruar në Turqi për shumim duke kaluar mijëra kilometra.

Akademikja nga Fakulteti i Shkencave të Universitetit të Ankarasë, Dr. Arzu Gürsoy Ergen në prononcimin për Anadolu Agency (AA) tha se në bashkëpunim me Universitetin e Ankarasë dhe të Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme (ODTÜ) po realizojnë punime në lidhje me unazimin e zogjve me qëllim të vëzhgimit të ndikimit të ngrohjes globale dhe përcaktimit të rrugëve të migrimit të zogjve, të ushqyerit, shumimit dhe vendbanimit të tyre.

Ergen tha se këtë studim janë duke e zhvilluar në Stacionin e Unazimit të Zogjve në Eymir, në koordinim me akademikun në Fakultetin e Shkencave të Universitetit ODTÜ, Prof. Dr. Can Bilgin dhe ekspertin e Pyjeve dhe Çështjet e Ujit, Burak Tatar. Sipas saj, në fazën e parë kanë unazuar 330 zogj të 31 llojeve dhe se pas regjistrimit të gjatësisë së krahëve, bishtit, kërcit, peshës dhe gjinisë i kanë liruar përsëri në natyrë.

Ajo thekson se me unazimin e zogjve në stacion synojnë të kuptojnë më mirë rrugët e migrimit të zogjve, fushat e dimërimit dhe shumimit, kalendarin e migrimit, strategjitë dhe dinamikat e popullatës. Ergen thotë se përveç hulumtimeve të ekologjisë së vendbanimit dhe të strategjisë së migrimit, me mostrat e marra nga zogjtë planifikojnë të bëjnë edhe analiza gjenetike.

Dr. Ergen bën të ditur se ka lloje të ndryshme të zogjve të unazuar, në mesin e të cilëve gjenden edhe lloje të ndryshme të bilbilëve.

“Një nga të dhënat kryesore të arritura në kuadër të punimeve tona ishte për bilbilin. Gjatë unazimit të zogjve, të cilin e realizuam me qëllim të përcaktimit të rrugëve të migrimit të zogjve dhe të popullatës së tyre, një bilbil të cilin e kemi zënë me rrjetet e vendosura në Liqenin Eymir (në Ankara) zbuluam se ai ishte unazuar përsëri në vitin 2011 në Eymir dhe se që nga ajo kohë e deri në ditët tona në mënyrë të rregullt ka arritur të migrojë nga Afrika Qendrore për në Turqi”, tha Ergen.

Në vijim ajo shton se “Ardhja e një bilbili i cili ka një jetëgjatësi mesatarisht prej 8 vitesh, nga Afrika për në Turqi, me krahët e tij të vegjël duke kaluar një migrim të mundimshëm prej mijëra kilometrash është një zbulim i rëndësishëm”.

Eksperti në Ministrinë e Pyjeve dhe Çështjeve të Ujit, Burak Tatar tha se punimet për unazimin e zogjve janë realizuar gjatë viteve 2001- 2002 dhe 2011- 2012 dhe se pas një pushimi, këtë vit përsëri kanë rifilluar me punimet.

Tatar tha se Programi Kombëtar i Unazimit të Zogjve do të jetë i dobishëm nga aspekti i përfitimit të të dhënave të rëndësishme dhe për plotësimin e zbrazëtirave në këtë fushë./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi