Jemen, së paku 45 civilë të vrarë në sulmet ajrore

 

Së paku 45 civilë, mes të cilëve gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën gjatë sulmeve ajrore të koalicionit të kryesuara nga Arabia Saudite në Jemen në tre incidente të ndara gjatë katër ditëve të fundit, bëhet e ditur sot nga Kombet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të KB-ve, koalicioni saudit në sulmet ajrore vrau të gjithë civilët në automjetin civil i cili udhëtonte në qarkun Mawza. Humbën jetën 21 civilë, mes të cilëve edhe pesë fëmijë, gjatë sulmit që ndodhi të premten.

Të dielën gjatë një dasme në qarkun Bani Qa’is në dy sulme ajrore humbën jetën 19 civilë, ndërsa rreth pesëdhjetë të tjerë u plagosën, prej të cilëve shumica ishin fëmijë.

Gjatë sulmeve ajrore të koalicionit të kryesuar nga Arabia Saudite është qëlluar edhe një shtëpi në të cilën humbën jetën të gjithë pesë anëtarët e familjes, babai, nëna dhe tre fëmijët. Sulmi ndodhi në qarkun Midi.

“Ne kemi vërejtur se anëtarët e koalicionit po kryejnë kontroll pas sulmit të dasmës, por i ftojmë ata që të hetojnë plotësisht të gjitha sulmet e fundit vdekjeprurëse në mënyrë të pavarur, thelbësore dhe transparente”, tha Liz Throssell, zëdhënësja e komisarit të lartë për të Drejtat e Njeriut të KB-ve.

Të dhënat e KB-ve flasin se që nga fillimi i konfliktit në Jemen në mars të vitit 2015 kanë humbur jetën më shumë se 6.300 civilë, ndërsa 9.900 janë plagosur.

“Numri i përgjithshëm i viktimave, përfshirë edhe luftëtarët dhe rastet e pavërtetuara, me siguri është më i madh”, theksoi Throssell.

Jemeni tashmë një kohë të gjatë gjendet në krizë të thellë politike dhe të sigurisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi