Japonia do të ndihmojë në lehtësimin e tensioneve në Lindjen e Mesme

Japonia është e gatshme të ndihmojë në lehtësimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke shprehur shqetësimin për bllokimin midis SHBA-ve dhe Iranit.

“Ne jemi të shqetësuar se situata në Lindjen e Mesme po bëhet jashtëzakonisht e tensionuar”, i tha kryeministri japonez, Shinzo Abe, ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, në fillim të takimit të tyre në Tokio.

E përditshmja me seli në Tokio, Mainichi, raportoi se udhëheqësit japonezë i premtuan kryediplomatit iranian se ata do të bëjnë më të mirën e tyre për të lehtësuar tensionet dhe për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.

Japonia ishte ndalesa e fundit e kryediplomatit iranian, pasi udhëtoi për në Indi ku zhvilloi bisedime me homologun e tij, Sushma Swaraj, për të diskutuar mbi sanksionet e SHBA-ve për eksportet iraniane.

Zarif po ashtu u takua me homologun e tij japonez, Taro Kono, ku diskutuan për situatën në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjen bërthamore. Përshkallëzimin e tensioneve, Zarif e quajti “të papranueshme” dhe tha se Teherani ka ushtruar “përmbajtje maksimale” pavarësisht nga zhvillimet.

Zarif i tha homologut të tij japonez se Irani është i angazhuar në marrëveshjen dhe kërkoi mbështetje ndërkombëtare për të mbrojtur marrëveshjen. Të dy ranë dakord për rëndësinë e vazhdimit të marrëveshjes.

Kono, nga ana e tij, tha se, “Është e domosdoshme mbrojtja e kësaj skeme, jo vetëm për marrëdhëniet tona bilaterale, por edhe për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”.

Irani javën e kaluar pezulloi disa angazhime në kuadër të marrëveshjes bërthamore, e cila u hartua për të frenuar aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Irani njoftoi se do të mbajë uraniumin më të pasuruar sesa lejohet në marrëveshjen bërthamore të nënshkruar me SHBA-të, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën. Teherani ka caktuar një afat prej 60 ditësh për të negociuar terma të rinj.

Raportet nga New Delhi tregojnë se Zarif mori një përgjigje të ftohtë nga qeveria e kryeministrit indian, Narendra Modi, e cila është e angazhuar me zgjedhjet.

Swaraj raportohet t’i ketë thënë kryediplomatit iranian se çdo vendim lidhur me importet e vazhdueshme të naftës nga Irani do të merret nga qeveria e re, e cila pritet të kalojë në detyrë në javën e fundit të këtij muaji.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi