Ja si 700 milionë eurot e “ngrira” të privatizimit mund ta “ngjallin” ekonominë e Kosovës

Nga Bashkim Kastrati

Procesi i privatizimit në Kosovë ka filluar që disa vite. Ky proces u kritikua shumë dhe nga shumëkush konsiderohet si i dështuar. Nga ky proces janë grumbulluar afërisht 700 milionë euro. Kjo shumë është grumbulluar nga shitja e rreth 1,300 asteve të ndërmarrjeve shoqërore, që nga viti 2002 e deri në fund të vitit të kaluar.

Nga shuma totale e lartcekur, mbi 110 milionë euro u janë ndarë punëtorëve që kanë punuar nga ndërmarrjet e privatizuar, në emër 20 përqindëshit, ndërsa kreditorët potencialë janë paguar rreth 20 milionë euro.

Nga fondi tepricë në buxhetin e Kosovës, Agjencia ka derdhur mbi 90 milionë euro. Ndërkaq, në fondin rezervë janë mbi 460 milionë euro, që mbahen të bllokuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Derisa kjo shumë e madhe e parave mbahet e bllokuar, Kosova ka nevojë për përdorimin e tyre në ngritjen ekonomike.

Mosinvestimi i këtyre mjeteve që mbahen tani e sa vite në Bankën Qendrore, vazhdimisht është kritikuar nga ekspertë për çështje ekonomike. Ata konsiderojnë se investimi i këtyre mjeteve në projekte zhvillimore konkretisht në sektorin privat, do të ndikonte në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Nuk ka vullnet politik që këto mjete të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik

Njohësi i fushë së ekonomisë Lulzim Beqiri, ka thënë për tesheshi.com se Agjencia e Privatizimit (AKP) është krijuar me qëllimin që ndërmarrjet publike apo në pronësi të shtetit t’i shes për qëllimin elementar funksionalizimin e tyre dhe kthimin në gjendjen që kanë qenë, duke u orientuar ka ekonomia e tregut. Ai mendon se metodat e përdorur nga ana e AKP-ja kanë dështuar totalisht pasi që shumica e ndërmarrjeve janë jashtë funksionit dhe një pjesë e tyre kanë ndërruar edhe destinimin e tyre, thjesht nuk janë kthyer qytetarëve.

“Janë rreth 700 milionë euro është fondi i grumbulluar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, nga shitja e rreth 1,300 asteve të ndërmarrjeve shoqërore, që nga viti 2002 e deri në fund të vitit të kaluar dhe të cilat mbahen të bllokuara nga shteti apo edhe të investuara jashtë vendi, mendoj se këto mjete do të duhej të përdoren për krijimin e vendeve të rejat të punës, ndihmën ndaj Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, sektorit bankar që t’i ulë kamatat dhe kategorive të veçanta”, thotë Beqiri.

Ndërsa, ekonomisti Mustafë Kadriaj thotë se privatizimi si një mënyrë e kalimit nga ish-ndërmarrjet publike në ndërmarrjet me pronar privat për fatin jo të mirë në Kosovë nuk ka rezultuar proces i suksesshëm për të mos thënë ka dështuar. Sipas tij, pra pjesa dërmuese e ish-ndërmarrjeve publike tani të privatizuara nuk dhanë rezultate si për nga produktiviteti, depërtimi në treg si dhe nuk ka ndikuar në uljen e papunësisë.

“Pa marrë parasysh se nga privatizimi janë grumbulluar një vlerë relativisht e madhe duke kapur shifra 700 milionë euro, pothuajse sa gjysma e Buxhetit të Republikës së Kosovës, që natyrisht po të kanalizoheshin në investime profitabile do të ndikonin në rritjen ekonomike të Kosovës”, thotë Kadriaj.

Ai mendoj se nëse këto para do të investoheshin në ekonominë e Kosovës, do të ndikonin në rritjen e numrit të punëtorëve dhe rrjedhimisht do të ndikonin në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Meqë ekonomia e Kosovës vepron sipas ligjeve të ekonomisë se tregut, kjo vlerë e mjeteve është shumë e nevojshme që të investohen, duke ndikuar në zhvillim ekonomik”, theksoi ai.

Kadriaj thotë se mbetet për t’u parë se a do të ndodhë një gjë e tillë, ndërsa shton se është skeptik në lidhje me këtë çështje pasi që këto mjete po mbahen të bllokuara qëllimisht.

“Pra me ketë mentalitet qeverisës ka pak shpresa, sepse në agjende të tyre nuk është zhvillimi ekonomik, por zhvatja dhe keqpërdorimi i parasë publike, duke u pasuruara në mënyrë të paligjshme dhe njëherit duke rënduar jetën e qytetarit në Kosove”, u shpreh Kadriaj.

Ndryshe, nga rreth 600 ndërmarrje shoqërore sa figurojnë të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka arritur të privatizojë shumicën prej tyre, duke krijuar nga një apo dy ndërmarrje të reja private. Kurse, të pa shitura kanë mbetur rreth 2000 asete të ndërmarrjeve shoqërore. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi