Isa Mustafa tregon se çfarë i tha kryeministrit në takimin e mbrëmshëm

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka njoftuar se me Ramush Haradinaj ka folur për qëndrimin e LDK’së lidhur me dialogun me Serbinë, ku para pak ditësh kjo parti ka dalë kundër një formati të tillë dhe ka kërkuar zgjedhje të reja.

Mustafa ka thënë se të njëjtin qëndrim ia ka paraqitur edhe Shefit të Qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili ka vizituar të shtunën mbrëma liderin e LDK’së në shtëpinë e tij.

“Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa, në një njoftim në Facebook.

Ndërkohë, në njoftimin e dërguar nga LDK’ja, pas takimit të Mustafës me kryetarët e degëve, ishte bërë e qartë se kjo parti nuk përkrah formatin aktual të dialogut.

“Të gjitha degët e LDK-së e konfirmuan qëndrimin se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jo legjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese”, thuhej në komunikatë.

Sidoqoftë, Isa Mustafa ka thënë se LDK mbetet unike në kundërshtimin e këtij formati të dialogut.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe këtë kontribut po e jep edhe tani si subjekt opozitar parlamentar. LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shtuar ai.

Mustafa ka treguar se pas kthimit në Kosovë e kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti.

“Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou. Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar”, ka shtuar ai.

Pas takimit të mbrëmshëm, Kryeministri Haradinaj kishte thënë se ka qenë në shtëpinë e Isa Mustafës ku kanë qenë edhe disa prej zyrtarëve kryesorë të kësaj partie.

“Sot nga ora 19:00 deri në 20:00 kam qenë në vizitë te familja e kryetarit Isa Mustafa. Aty ishin edhe Lutfi Haziri, Agim Veliu, Ismet Beqiri, Kujtim Shala, Avdullah Hoti”, kishte thënë Haradinaj.

Isa Mustafa ka mbajtur para dy ditësh edhe një takim me kryetarët e degëve të LDK’së e ku është bërë thirrje për zgjedhje të reja.

Në anën tjetër, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë kërkuar përkrahjen e LDK’së në dialogun me Serbinë.

Vetëm Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, nuk e ka përjashtuar mundësinë që LDK të përkrahë Presidentin në fazën finale të dialogut me palën serbe.

Ndërsa, zyrtarët tjerë të LDK’së, kanë dalë kundër kësaj ideje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi