Invalid dhe pa ndihmë ekonomike, rezulton pronar makine

 

 

Mark Deti është nga Mirdita. Është ngritur që në katër të mëngjesit për të mbërritur sa më shpejt në Durrës me shpresën se ecejaket e tij zyrave të shtetit do të përfundojnë e do të mund të marrë sërish ndihmën sociale për familjen e tij në nevojë.

Këtë herë ka vendosur t’i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e hallit të tij. Që nga janari i këtij viti është hequr nga skema e ndihmës sociale, pasi rezulton të ketë në pronësi një automjet, të cilin e ka shitur që në vitin 2015 në Durrës.

Marku është person me aftësi të kufizuara, 63 vjeç dhe i papunë, me dy fëmijë të mitur. Prej muajsh nuk i ka reshtur ecejaket nëpër zyra ndërsa në dorë shtrëngon të vetmin dokument zyrtar, kontratën e shitblerjes së automjetit 3 vite më parë , një dokument i pavlefshëm për aq kohë sa blerësi nuk ka bërë kalimin zyrtar të pronësisë së mjetit.

“Kam qenë në ministri, në polici e ata më thojnë shko në gjykatë. Më kanë nxjerrë nga skema që për vit të ri. Po figuroj pronar, me makinë. Kam kujtuar se noteri është shtet po atë nuk e njifka kërkush. Çfarë të bëj nuk e di?! Kam 5 fëmijë, po dy janë të mitur, 14 dhe 10 vjeç…”, u shpreh Mark Deti.

Në prokurori e drejtojnë në gjykatë ndërsa zyra e informacionit i këshillon të ngrejë një padi. Në pamundësi për të paguar një avokat Marku i drejtohet zyrës për ndihmë ligjore falas për të zgjidhur problemin e tij, që konstaton thjesht në kalimin e pronësisë te zotëruesi faktik i mjetit.
“Jam invalid e s’mund të paguaj. Personi me të cilin kam konflikt është nga Durrësi. E kam shit makinën që në 2015-n. Nuk rri në Durrës. Kam aktin noterial në xhep. Kam fëmijë në shtëpi që duan të hanë… Nuk kam proces gjyqësor”, tregon ai.

Pasi ka komunikuar dhe me juristen e zyrës, ai duhet të drejtohet në një tjetër zyrë për të bërë ankesën e tij.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi