Intervista e legjendës së fotografisë, Joel Meyerowitz: telefonat i vranë “lezetin” rrugës

Ai ndoqi nga afër parada e marshime, u zuri pritë parukierëve dhe refuzoi të largohej nga vendi i shembjes së kullave binjake pas 11 shtatorit. Joel Meyerowitz tregon në këtë rrëfim shkrepjet e tij më tronditëse.

Një ditë, 55 vjet më parë, Joel Meyerowitz po ecte rrugëve të qytetit të tij të Lindjes, Nju Jorkut me një kamera 35 mm kur i kapi syri diçka përmes një dritareje që e ndaloi në vend. Një grua e re po qëndronte me kurriz nga ai, duke krehur flokët e të dashurit të saj, ashtu si, Meyerowitz imagjinoi, ajo ia kishte krehur kukullës së saj kur kishte qenë një vajzë e vogël.

Ndërsa qëndron i ulur pranë zjarrit në hangarin e shndërruar në shtëpi në Toskana, në muzgun e një pasditeje shkurti, Meyerowitz risjell atë që ndodhi më pas. “U afrova fshehtaz sa munda dhe u përpoqa të fiksoj intimitetin e atij momenti. Isha shumë i turpshëm dhe përdora gjithë kurajon time – nëse nuk do të kishin qenë xhamat e dritares, ndoshta nuk do të isha afruar dot aq shumë”. Në printimin përfundimtar të fotografisë, djali vështron nga errësira drejt kamerës me vetullat e ngritura, një moment vulnerabiliteti të pastër që vetëm një sekondë më pas mund të kishte shpërthyer në zemërim ndaj ndërhyrjes së Meyerowitz. Dhe, me gjasa, fotografi do të ishte dëbuar me shkelma.

Ky ishte një ndër imazhet e para të fotografit amerikan të rrugës. Ajo që të trondit në këtë imazh nuk është edhe aq trimëria e kapjes së momentit. Cartier-Bresson, në fund të fundit, ishte bërë i njohur duke bërë pikërisht këtë dhe Meyerowitz po ndiqte rrugën e francezit. Më shumë se trimëria, momenti ishte kapur me ngjyra. “Në artin e fotografisë, ka ende paragjykime të forta kundër ngjyrave, sikur vetëm imazhet bardhë e zi të jenë të justifikueshme”, thotë fotografi. “Nuk e kam përthithur kurrë këtë: për mua ngjyra është thelbësore, unë ndjej instiktivisht se kam nevojë për të që puna ime të fitojë forcë. Ashtu sikundër kemi kujtime që perceptohen nga aroma, ashtu kemi dhe kujtime me ngjyra. Dua të them bota është me ngjyra, apo jo?”.

Meyerowitz ishte përfshirë në fotografim, më herët atë vit, kur si një regjisor i ri arti, u bë dëshmitar i një séance fotografimi për reklama nga fotografi i madh amerikan, Robert Frank. “Mënyra sesi ai valëviste dorën poshtë e lart ndaj vajzave që po fotografonte, ishte si një ndriçim për mua. Nuk mund të lëvizësh ndërsa punon në kamera. E doja edhe kamerën”.

Sa kushton ai tigër në vitrinë? Nju Jork, 1975

Deri në atë ndriçim të mendjes, Meyerowitz kishte qenë i sigurtë se çfarë dëshironte të bënte me jetën e tij. Ai ishte duke studiuar me kohë të pjesshme për master në historinë e artit dhe përpiqej të bënte diçka në pikturën abstrakte. Pasi pa Frank duke punuar, sidoqoftë, ai u kthye tek agjencia e reklamave atë pasdite dhe dha dorëheqjen. “Harri, shefi im, nuk mund ta besonte. Më pas, megjithatë, ai më bleu një kamera”.

Që nga fillimi, Meyerowitz dhe miku e fotografi tjetër i rrugës, Garry Winogrand kërkuan të eksploronin erotikën e rrugës: “Nxehtësia e vështrimeve midis njerëzve, misteri i ngarkuar në ajër që vjen nga kampja e momenteve kalimtare”, thotë ai.

Në librin e tij të ri autobiografik fotografik, “Ku e gjej veten”, Meyerowitz shkruan për ato ditë të largëta kulmore të jetës së tij: “Ne na pëlqente shumë të ndiqnim lojën e dritës në shëtitoren e Pestë dhe sesi u jepte kuptime gjërave. Ne vështronim ndryshimin e stinëve dhe sesi rrobat nisën të bëhen më të lehta e më të lezetshme. Ne jetonim dhe merrnim frymë përmes fotografisë… ne ndjeheshim pjesë e lëvizjes që po e bënte fotografinë më interesante se kurrë më parë”.

“Kap momentin e duhur”, Nju Jork 1963.

Por së pari, ai duhet të tejkalonte turpin. Ai e bëri këtë me projektin e tij fillestar – duke shkrepur foto të kalimtarëve në paradat e rrugës. “Askush nuk mendon se ka diçka të çuditshmë në praninë e  një fotografi në paradë, kështu që kjo më jepte padukshmërinë”. Një imazh sidomos i suksesshëm shkrepur në Nju Jork në vitin 1963 përshkruan një burrë afro-amerikan të relaksuar, me buzëqeshje në fytyrë, veshur me një jelek që qëndronte me qenin e tij pranë një burri të bardhë të ngjeshur në kostum që mban dorën në zemër ndërsa vështron përmes afro-amerikanit.

“Ai po nderon flamurin po këtë nuk e kap kamera”, shpjegon Meyerowitz. Është një imazh pa kontekst, por që sjell gjithë tensionet e dyanshme – e bardhë/e zezë, gjenial/pa djallëzi, patriotik/ jo dhe aq patriotik. Duhet të jesh në rrugë dhe të kapësh momentin e duhur”, thotë ai.

Nga imazhet e tij të rrugës, një i preferuar përshkruan sesi një francez ka rënë përtokë në dalje të stacionit të metrosë së Parisit, një ditë në vitin 1967. Në këtë fazë, Meyerowitz kishte nisur të shkrepte fotografi më nga larg – në një distancë prej 20 këmbësh nga objekti që kërkonte të fotografonte. Të gjithë janë duke vështruar njeriun e shtrirë në tokë: gruaja e re shik që po merr shkallët e metrosë, djali i shpërndarjes që shtyn kutitë, një çiklist që afrohet për të pasur një pamje më të qartë të fatkeqësisë së tjetrit. Një punëtor me kominoshe madje, gati e shkel atë ndërsa mban në dorë një çekiç. “Asnjë prej tyre nuk e ndihmoi”.

Imazhi është një rrjet përthithës vështrimesh dhe sysh ikanakë. “Në vitet ‘60 dhe ’70, mund të shihje në fotografitë e mia dhe të bashkoje vizat nga sytë e njerëzve që lidheshin me sytë e njerëzve të tjerë, duke formuar fusha forcash magnetike”.

Sot, ajo çfarë tërhiqte fotografin në rrugë është gati e vdekur.

“Askush nuk e sheh më tjetrin. Të gjithë janë ngjitur pas telefonave të tyre”. Por a ekziston më fotografia e rrugës? “Po lulëzon, por jo në mënyrën sesi e bënim ne. fotografët më të mirë të rrugës tashmë tregojnë sesi njerëzit janë zvogëluar përballë parullave të reklamave. Rruga e ka humbur shijen e saj”.

Përgjatë zhvillimit të tij si fotograf, Meyerowitz u bë një prani më e ashpër në rrugë, por si gjithë fotografët e mëdhenj, ai i joshte subjektet e veta të pozonin në mënyrën sesi ai donte. Kjo duket në fotografinë e një vajze me quka “ekzotike si një peshk tropikal”, që nxjerr në fokus edhe krahët e vet.

Sarah, Massachusetts, 1981

Procesi i tij i fotografimit mund të shihet më qartë në iamzhet që ai ka shkrepur në terrenin e shkatërruar pas sulmeve të 11 shtatorit. Kur ai mbërriti aty, policia kërkoi ta largonte pasi bëhej fjalë për një skenë krimi. Por fotografi nuk u largua duke debatuar me policinë.

Seria e fotografive që ai mori përbën një memorial të madhështisë së rrënojave dhe njerëzve që punuan në to, duke kërkuar për dhëmbë, kocka apo çdo gjë tjetër që mund të identifikonte viktimat.

Verën që pasoi ai ishte në Itali. “Bota ndryshoi për shkak të 11 shtatorit, dhe kështu kur unë pashë mijëra vjet kultivimi të vazhdueshëm në fushat e Toskanës, ndjeva lehtësim”.

Imazhet e “tokës zero” në Nju Jork ai i shoqëroi me fotografitë e fushave të Toskanës, rilindje nga zoti pas çdo të këqije. Aktualisht fotografi i ka lënë përfundimisht rrugët e Bronksit për një shtëpi të qetë në Toskanë.

Për katër vjetët e fundit, Meyerowitz është tërhequr nga bota e ka qenë duke fotografuar objekte modeste që gjen në dyqanet e lira toskane.

Kurajoz, i lëvizshëm dhe plot jetë, Meyerowitz mbushi 80 vjeç më 6 mars. A ka në plan të dalë në pension? “Artistët nuk e bëjnë këtë”, thotë ai, “vetëm sa kalojnë një njëra fazë në tjetrën në artin e  tyre”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi