IHH hap mbi 6.700 puse uji në nivel global

Fondacioni Humanitar Turk (IHH) deri më tani ka hapur 6.747 puse uji në 36 vende, në kuadër të projektit të saj 18-vjeçar.

Në një deklaratë të lëshuar në shënimin e Ditës Botërore të Ujit, IHH tha se është duke vazhduar përpjekjet e saj për të siguruar që miliona njerëz, të cilët vuajnë nga mungesa e ujit në të gjithë botën të kenë qasje në ujë të pastër që plotëson të gjitha nevojat e tyre.

Projekti, i cili u inicua në vitin 2000, vazhdon deri në ditët e sotme nëpër kontinentet e Afrikës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, ku 3 milionë e 373 mijë njerëz i plotësojnë nevojat e tyre të ujit përmes puseve të tilla të ujit.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara (OKB), të përgatitur së bashku me UNICEF-in në vitin 2017, 2.1 miliardë njerëzve iu pamundësua qasja në ujin e pastër. Në raport theksohet se ujë të pastër nuk ka në shtëpitë e çdo tre njerëzve nga 10 në botë.

Në raport poashtu thuhet se për çdo vit 502 mijë njerëz humbin jetën e tyre për shkak të sëmundjes diarreike të shkaktuar nga përdorimi i ujit të ndotur dhe kanalizimeve të pamjaftueshme, ndërsa 4.5 miliardë njerëz nuk kanë shërbime sanitare dhe higjienike.

Me puset e ujit të krijuara nga IHH, vendasit jo vetëm që kanë qasje në ujë të pastër dhe të pijshëm, por gjithashtu janë në gjendje të përdorin ujin për aktivitetet e tyre bujqësore dhe të gjenerojnë të ardhura.

Puset e ujit, të cilat janë një faktor i rëndësishëm në parandalimin e ushqimit dhe mungesës së ujit, poashtu krijojnë një urë midis zemrave të vendasve dhe donatorëve të puseve.

Puset e ujit janë emëruar sipas donatorëve. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e puseve janë emëruar sipas martirëve të 15 korrikut të vitit 2016, tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 në Turqi dhe operacionit “Dega e Ullirit”.

Ndër vendet ku IHH ka vendosur puset e ujit janë Etiopia, Somalia, Nigeria, Sudani, Kameruni, Kenia, India, Bangladeshi, Afganistani, Sri Lanka, Palestina, Iraku dhe Libani./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi