Ideja për këmbimin e territoreve po intensifikohet, por nuk është lehtë e pranueshme

Ideja për shkëmbim të territoreve sipas raportimeve të zyrtarëve të dy vendeve, duket se më shumë po pëlqehet nga presidenti serb.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë është takuar me senatorin amerikan, Ron Johnson, ku gjatë takimit të dy janë pajtuar se durimi dhe fleksibiliteti zgjidhin të gjitha çështjet në rajon dhe përmirësojnë marrëdhëniet në mes Beogradit dhe Prishtinës.

Vuçiq ka kërkuar nga senatori amerikan që të ndihmoj në stabilizimin e rajonit duke i kërkuar shqiptarëve të Kosovës të jenë të gatshëm për zgjidhje të mirëfillta, që do të thotë kompromis.

“Diskutimet me senatorin amerikan ishin kuptimplota, gjithëpërfshirëse dhe të ndershme”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se kanë diskutuar rreth katër temave: marrëdhëniet dypalëshe, situata në rajon, marrëdhëniet në mes Beogradit dhe Prishtinës dhe mbështetja ndaj Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së.

Ndërsa, Johnson ka thënë se marrëveshjet duhet të jenë të favorshme për të gjitha palët.

“Çdo marrëveshje duhet të jetë në favor të gjitha palëve, duhet marrë parasysh të ardhmen e të gjithëve. E kaluara nuk mund të harrohet por popujt e Ballkanit duhet të falin sado e vështirë që të jetë dhe të shkohet drejt një të ardhmeje të begatë”, ka theksuar senatori amerikan.

Pas lëkundjeve të fundit të autoriteteve zyrtare mbi Gjykatën Speciale në Kosovë, apo shënimin e kufirit me Malin e Zi, duket se gjërat hynë në rrugë të mbarë, ndërsa Kosova po kremton 10-vjetorin e Pavarësisë.

Ndërsa, presidenti i Kosovës ka thënë se vendi angazhohet për plotësim të detyrimeve të tjera të BE-së dhe Thaçi ka një kërkesë të drejtpërdrejt për Jean Claude Junker, president i Komisionit Evropian.

“Junckerit do t’i kërkojmë atë qe kemi diskutuar edhe më herët që të përshpejtohet procesi i integrimit për Kosovën dhe mundësia më e mirë do të ishte integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë”, deklaron Presidenti i Kosovës.

Mirëpo ndryshe nga Serbia, Thaçi thotë se nuk ka asnjë mundësi për ndarjen e Kosovës. Madje, sipas tij, këtë e pranon edhe Serbia, ndonëse jo publikisht.

“Nuk do të ketë autonomi! Nuk do të ketë ndarje! Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve. Kosova është vend unik me integritet territorial të respektuar e miratuar ndërkombëtarisht. Në një formë, a në një tjetër Serbia e ka pranuar Kosovën. Unë jam takuar me liderët serbë dhe e di se ata e dinë se ky është vend sovran dhe ky proces është i pakthyeshëm, por askush prej tyre nuk e ka guximin ta thotë publikisht. Pa njohjen e Kosovës Serbia nuk mund të integrohet në BE, sikurse Kosova duhet t’i kryejë obligimet e veta karshi fqinjëve të vet”, vijon ai.

Por në raport me Serbinë Presidenti Thaçi mendon se Kosovës, e cila ka kaluar në procedurat e Gjykatësë së Hagës në mënyrë vullnetare, po i bëhet padrejtësi me Gjykatën Speciale. Sidoqoftë Thaçi deklaron se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet pasi për Kosovën prevalon partneriteti me SHBA dhe BE.

“Jemi të vetëdijshëm se na imponohet edhe pagimi një çmimi për lirinë e vendit, gjë që Kosova është e gatshme. Secili qytetar sot në Kosovë pyet pse nuk u dënua askush në Serbi për vrasjen e 13 mijë civilëve shqiptarë të Kosovës? Pse nuk u dënua askush në Serbi për dhunimin e 20 mijë grave të Kosovës? Pse askush nuk u dënua për kryerjen sistematike të 400 masakrave kundër shqiptarëve në Kosovë? Pse askush në Beograd nuk u dënua për dëbimin e 1 milion qytetarëve kosovare dhe tani del një raport krejt i rrejshëm, saqë na vendosin në një pozitë sikur shqiptarët kanë sulmuar dikë. Ne jemi mbrojtur, kemi zhvilluar luftë për ekzistencën tonë nacionale”, shton ai.

Ndërsa disa ditë më parë, Drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike në Serbi, Jelena Miliç, në një intervistë për Gazetën Express, ka pranuar se për çështjen e shkëmbimit të territoreve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ka dëgjuar nga qarqe politike, analistë e gazetarë. Thotë se nuk e di kush konkretisht është duke zhvilluar negociata për këtë ide, por vlerëson se ndarja e territoreve do të ishte një katastrofë dhe rast “sui generis”.

Jelena Miliç, drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike, ka folur për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ide kjo për të cilën ditë më parë raportoi Gazeta Express, e në të cilën janë të përfshirë top politikanët kosovarë.

Miliç thotë se ka dëgjuar nga qarqe politike, analistë dhe gazetarë se ideja për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë ekziston tash e disa vjet.

“Nuk e di kush konkretisht mund të jetë duke zhvilluar negociata të tilla, por e di se jo vetëm në Kosovë dhe Serbi por edhe në rajon ka forca të tilla politike të cilët kanë interesa partiake dhe politike për të përkrahur një proces të tillë të rrezikshëm.

Gjithashtu, lehtë mund ta imagjinoj se Vladimir Putin shumë letë mund ta shfrytëzoj këtë për ta shtuar ndikimin e vetë në Ballkan”, ka thënë drejtoresha e kësaj qendre.

Siç shprehet ajo, shkëmbimi i territoreve, në rast se ndodh, do të arrihej përmes nivelit të lartë dhe do të përkrahej nga njerëzit e dy palëve, por do të ishte katastrofë dhe rast ‘sui generis’. Madje, një shkëmbim i territoreve do ta forconte ushtrinë paramilitare të Republikës Serbe të Dikovic dhe do ta rrezikonte kontrollin demokratik të armëve.

Miliç thekson se jo vetëm në Serbi dhe Kosovë por në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor mund t’i kenë interesat e veta politike dhe partiake për ta përkrahur një ide kaq të rrezikshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi