Ideja e ndryshimit të kufijve, ҫfarë po ndodh tani?

Ndryshimi i kufijve, si një ide që nuk ishte e re, por e cila u aktualizua nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, po vlerësohet se ështëduke u zbehur ende pa u trajtuar seriozisht nga instancat më të larta të dy shteteve dhe akterëve relevantë ndërkombëtarë.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si lehtësuesja kryesore në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk ka dalë me një elaborim të plotë të kësaj ideje.

Kurse presidentët e të dyja vendeve, bazuar në deklaratat e tyre të ditëve të fundit, nuk qëndrojnë më në të njëjtat pozicione si më parë rreth çështjes së kufijve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë sinjalet e para se edhe ai po largohet nga ky opsion, duke thënë se nuk po gjen mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti serb Vuçiq kishte deklaruar se për çështjen e ndryshimit të kufijve nuk ka çfarë të flitet, pasi që sipas tij, ideja është refuzuar nga Bashkimi Evropian, si dhe nga serbët dhe shqiptarët, në Serbi e Kosovë.

Mirëpo, në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ende proklamon se ndryshimi mund të ndodhë gjatë fazës së demarkacionit të kufirit me Serbinë, duke pretenduar se mund të bëjë një korrigjim të kufirit, me përfshirjen e tri komunave me popullatë shqiptare në jug të Serbisë, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, në kuadër të kufirit të Kosovës.

Por, në Prishtinë pak kush pret që një ndryshim eventual i kufirit mund të kalojë pa tensione dhe të mos përfshijë si shkëmbim edhe pjesën veriore të Kosovës të banuar me popullatë serbe, andaj edhe nga pjesa më e madhe e spektrit politik nuk preferohet fare si opsion.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, thonë se përgjigja e Haradinajt ndaj idesë për ndryshimin e kufirit ishte shumë e qartë.

Deputeti i AAK-së, Ahmeti Isufi thotë se kryeministri Haradinaj ka treguar që kjo është një ide e papranueshme.

“Kryeministri më saktë se kushdo tjetër e thotë se prekja e kufijveçon në luftë. Unë nuk e di se çka mund të jetë pozicion apo qëndrim më i qartë jo vetëm i kryeministrit Haradinaj, por edhe i partisë që përfaqësohemi në Kuvendin e Kosovës”, thotë Isufi.

Ndryshimi i kufijve apo korrigjimi, term ky që e përdorë presidenti i Kosovës, për Lidhjen Demokratike të Kosovës shihet si veprim i rrezikshëm dhe i nxituar.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se një proces kaq i rëndësishëm nuk mund të përmbyllet me një marrëveshje Thaçi – Vuçiq, ngase prekja e kufirit prek edhe vetë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

“Korrigjimi i kufijve është korrigjim i Deklaratës së Pavarësisë. Në këtë vend askush nuk ka gatishmëri që të shkojë në atë drejtim. Ne besojmë që në këtë proces nuk mund të hyjmë vetëm. Ne nuk mund të themi që na leni neve të arrijmë një marrëveshje dhe të shohim pastaj a do të pajtoheni apo jo”, thekson Hoti.

Pretendimeve të partive politike në Kosovë, qofshin ato në pushtet apo në opozitë se ideja për korrigjim apo ndryshim të kufijve është e rrezikshme, presidenti Hashim Thaçi u është kundërpërgjigjur në disa raste duke thënë se po përpiqet që të respektojë vullnetin politik të popullatës së komunave me shumicë shqiptare në Serbi, që t’i bashkohen Kosovës.

Thaçi ka deklaruar se edhe ai është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë apo ndarjes së Kosovës, ku zakonisht aludohet në pjesën veriore të banuar nga shumica serbe.

“Këtu ka një keqkuptim. Unë mbështes vetëm kërkesën legjitime të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për bashkëngjitje me Kosovën, marrëveshjen ligjërisht obligative në rrafshin ndërkombëtar me Serbinë dhe njohjen reciproke”, ka deklaruar Thaçi.

Përplasjet politike në lidhje me dialogun me Serbinë, qoftë rreth platformës apo edhe përfaqësimit, ka paralizuar tashmë gati në tërësi edhe Kuvendin e Kosovës, i cili nuk po arrin të mbajë seanca të rregullta plenare për shkak të mungesës së kuorumit që vjen si pasojë e bojkotimit të punës, qoftë nga partitë në pushtet apo ato në opozitë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi