I vodhën biçikletën 2000 euroshe, i riu belg ngre në këmbë autoritetet shqiptare, ja ç’ndodhi pasi i shkroi Ramës

Një i ri belg është kthyer në personazh për mediat pasi prej një muaj po kërkon biçikletën e tij të shtrenjtë që ja kanë vjedhur.

Përmes një aplikacioni të instaluar në celularin e tij dhe GPS-it në biçikletë, Denis Hacquin e ka gjetur 2000 kilometra larg vendit ku e la për herë të fundit në zonën jugore të Brukselit.
Biçikleta që kushton jo pak, por 2000 euro, u gjet në qytetin e Fierit, te një person që pretendon se e ka blerë në mënyrë të ligjshme.

Denisi nuk la gur pa lëvizur pasi identifikoi vendndodhjen e biçikletës inteligjente, ngriti në këmbë shtetin shqiptar me ne krye shefin e qeverisë, zv ministren e Brendshme dhe Policinë e Fierit.

Fillimisht pasi e gjeti përmes aplikacionit “ Find My Bike”, Denisi depozitoi një denoncim pranë Policisë lokale në Bruksel, më pas me të marrë vesh se mjeti i tij kishte përfunduar në Shqipëri, belgu i shkroi në Twitter kryeministrit Edi Rama me datë 14 tetor.

“Përshëndetje, unë po përpiqem të marr ndihmë ose të lidhem me autoritetet për të rikuperuar një e-bike që m’u vodh në Belgjikë dhe që ka vendndodhjen aktuale në Fier. Çdo lloj ndihme ose udhëzimi do të vlerësohej jashtëzakonisht shumë”, i shkruante i vendosur Denisi.

Por i lodhur nga pritja prej dy javësh i riu e postoi hallin në forumin online Reddit. Atje mori përgjigje nga gati 100 shqiptarë të gatshëm për ta ndihmuar që të gjente biçikletën e tij.
Një komentues e këshilloi që të kontaktonte Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, gjë që bëri.

“Unë e dërgova një e-mail dhe një ditë më pas ata gjetën biçikletën time. Biçikleta u gjet nga autoritetet në Fier falë aplikacionit “Find my Bike” dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të zv/ministres së Brendshme, Romina Kuko. Kjo e fundit ka qenë shumë ndihmuese dhe e përgjegjshme”, tha ai për mediat belge.

E vetmja gjë që ka mbetur tanimë është transporti i mjetit në Belgjikë. Pas verifikimit të rastit në Policinë e Fierit, çështja i ka kaluar Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Fier, nga ku mësohet se personi që kishte biçikletën ka deklaruar që e ka blerë atë.

News 24 mësoi se biçikleta është sekuestruar, ndërsa pritet që shtetasi belg ta marrë atë personalisht, pas verifikimeve që duhen bërë, nëse ai është realisht pronari i saj. I pyetur nga gazeta Brussels Times, nëse do të shkojë në Fier të marrë biçikletën, ai u shpreh se është më mirë që të gjendet një mënyrë më e lirë për t’u bashkuar me mjetin e tij.

Mbyllja e hetimeve nga ana e prokurorisë do të tregojë nëse personi që e ka aktualisht atë është grabitësi, apo e ka blerë, sikundër ka deklaruar deri më sot. Nuk mund të lihet pa u vënë re efikasiteti i Ministrisë së Brendshme apo dhe i Policisë së Shtetit, që u vendos e gjitha në dispozicion të të riut belg, i cili me sa duket me një etiketim në Twitter në llogarinë e Kryeministrit gjeti menjëherë biçikletën e tij.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi