I fejuari theri prindërit, 25-vjeçarja: Sherrin e nisi vjehrra, mua s’më ka dashur se jam nga Puka

Krimi në familje trondit Durrësin. Një 25-vjeçar me origjinë nga Dibra ka masakruar me thikë prindërit e tij të mo-shuar. Bëhet fjalë për 75-vjeçarin Destan Neziri dhe 64-vjeçaren Hasije Neziri, të cilët kanë përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit bregdetar. Mësohet se bashkëshortët Neziri kanë marrë plagë të shumta dhe ndodhen në reanimacion nën kujdesin e mjekëve. Vetëm një orë më pas, autori i krimit Hajri Neziri është arrestuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qa-rkut të Durrësit bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:45 të ditës së djeshme në lagjen nr. 17 (në zonën e ish-Kënetës) të këtij qyteti. Menjëherë pas sinjalizimit për plagosjen e dy personave, policia ka shkuar në banesën trekatëshe të familjes Neziri dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, fqinjët e kësaj familjeje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se kanë parë tmerr me sy dhe se banesa e çiftit Neziri si dhe rrugica janë larë me gjak. Gjithashtu, fqinjët u shprehën se kanë dëgjuar ulërimat dhe thirrjet e dy të moshuarve, të cilët kishin dalë zvarrë nga banesa e tyre dhe kërkonin ndihmë.

NGJARJA
Nuk ka të ndalur dhuna në familje. Pas ngjarjes së ndodhur në tregun e Milotit, ku gruaja vrau burrin me 4 plumba pistolete dhe ngjarjes së ndodhur në Memaliaj ku burri goditi gruan e tij 57 vjeçe me sqepar, rasti më i fundit u shënua pasditen e djeshme në qytetin e Durrësit. Mësohet se 25-vjeçari Hajri Neziri fillimisht ka debatuar ashpër me prindërit dhe më pas sherri ka degjeneruar në sulm me thikë. Në sherr e sipër, djali i vogël i familjes Neziri ka goditur disa herë nënën dhe babain, duke u shkaktuar plagë të shumta. Burime nga vendngjarja flasin për një masakër të vërtetë. Mësohet se 64-vjeçarja Hasije Neziri është goditur 6 herë me thikë në bark. Ndërsa bashkëshorti 75-vjeçar, Destan Neziri ka marrë një goditje thike në qafë (plagë e rëndë) dhe një në fytyrë. Pas krimit, autori Hajri Neziri është larguar së bashku me vajzën me të cilën bashkëjetonte prej disa kohësh. I riu u kap një orë pas krimit në Tiranë. Burime për “GSH” thanë se 25-vjeçari është paraqitur i lënduar (shoqërohej nga bashkëjetuesja) në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa është lajmëruar policia, e cila e ka arrestuar. Aktualisht ai po merr mjekim për lëndimet që ka në trup (dyshohet nga konflikti me prindërit), ndërsa më pas do të transferohet në Durrës nga policia për t’u marrë në pyetje. Nga të dhënat paraprake, ka dyshime se pjesë e konfliktit të ketë qenë edhe dashura e 25-vjeçarit. Ndonëse ngjarja është ende e paqartë, ka dyshime se prindërit nuk ishin dakord për lidhjen e dy të rinjve. Sakaq, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

DËSHMIA E FQINJËVE
“Kemi parë tmerr me sy. Është larë i gjithë vendi me gjak. Një masakër e vërtetë ka ndodhur në familjen Neziri, të cilët janë me origjinë nga Dibra dhe prej afro 20 vitesh banojnë këtu. Dëgjuam ulërima, pastaj gjetëm bashkëshortët Neziri të mbytur në gjak. Është e tme-rrshme kjo që ndodhi, djali të masakrojë nënën e babain me thikë. Destani dhe Hasija”, tha një fqinje e familjes në fjalë. Ndërsa disa komshinj të tjerë u shprehën se bashkëshortët që mbetën të plagosur janë njerëz të qetë dhe intelektualë, ndërsa thanë se nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt në këtë familje. “Unë isha në ballkon, kur pashë Hajriun që doli nga banesa bashkë me vajzën me të cilën bashkëjeton. Më bëri përshtypje se vajza e kishte njërin krah të bluzës gjithë gjak. Më pas pashë Hajriun që hodhi thikën, me të cilën kishte goditur prindërit. Fillimisht nuk dija se çfarë kishte ndodhur. Vetëm pak çaste më pas, dëgjova ulërimat e bashkëshortëve Neziri. Ata kishin dalë nga banesa të mbuluar në gjak dhe po kërkonin ndihmë. Gjithë rrugica ku ecën ata u mbulua me gjak. Dolëm menjëherë, gjetëm një makinë dhe i çuam në spitalin e Durrësit”, pohoi një tjetër fqinje e familjes Neziri. Kjo e fundit tha se Hajriu është djali i vogël i familjes, ndërsa fëmijët e tjerë të bashkëshortëve Neziri janë emigrantë në Itali. “Hajriu ka qenë djalë i urtë, i sjellshëm. Nuk e di pse i masakroi prindërit e tij. Kohët e fundit ai bashkëjetonte me një vajzë. Mbase sherri ka marrë shkas nga ajo. Mbase prindërit e tij nuk donin që ai të lidhej me vajzën”, thanë fqinjët e 25-vjeçarit. Ndërkaq, një tjetër fqinj u shpreh se: “Hajriu ishte i papunë. Gjithashtu edhe vajza me të cilën bashkëjetonte ishte e papunë. Mbase ata u hanin lekët e pensionit dy pleqve dhe këta të fundit i kanë thanë djalit që të dilte nga banesa dhe ta ndërtonte jetën e tij vetë”.

Dëshmia

Pas arrestimit në Tiranë, 25-vjeçari Hajri Neziri është dërguar në komisariatin e Durrësit ku është marrë në pyetje. Burime nga grupi hetimor thanë për “Gazeta Shqiptare” se i riu ka dhënë shumë pak të dhëna për ngjarjen e rëndë dhe ka shfaqur shenja depresioni. Ndërkaq, është marrë në pyetje dhe bashkëjetuesja e tij, e cila ka rrëfyer se si u plagosën vjehrra dhe vjehrri i saj. “Po shikonim të katërt ndeshjen e radhës së kampionatit botëror. Ishim të qetë, nuk kishim sherre dhe asgjë. Vjehrra ime që është një grua e sertë nisi të debatojë me të fejuarin tim, duke i thënë se nuk punon, se të dy ishim të papunë. Ishte sherr i çastit. Unë u dashurova me djalin e saj, por ajo nuk me donte pasi unë jam nga Puka. Në sherr e sipër, Hajriu u përlesh me të ëmën dhe e goditi disa herë me thikë. Pastaj ndërhyri vjehrri që t’i ndante, por i fejuari im e goditi dhe atë me thikë”,- është shprehur e reja. Ndërkaq, ajo ka sqaruar se: “unë ndërhyra që t’i ndaja. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi, por pashë se shtëpia u bë gjithë gjak. Dhe unë u bëra me gjak në krah dhe në fustan. Pastaj ikëm nga shtëpia se ishim terrorizuar. Të fejuarit tim i rridhte gjak nga dora, ndaj shkuam në Spitalin e Traumës në Tiranë. Shkaku i gjithë asaj që ndodhi ishte vjehrra ime”. Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje dhe 75-vjeçarin Destan Neziri. Ky i fundit ka deklaruar se: “Ndërhyra për të shpëtuar gruan nga djali”. Nga ana tjetër, i moshuari u ka thënë mjekëve të spitalit të Durrësit: “Aman, më shpëtoni gruan që e goditi im bir”!

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi