Hysi pret delegacionin kinez, kërkon njohjen e Kosovës

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit Kombëtar të Konferencës Politike Konsultative të Popullit Kinez, i kryesuar nga z. Zhang Qingli, i ndodhur në Shqipëri me ftesë të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Z. Qingli falënderoi për ftesën dhe mikpritjen palën shqiptare dhe shprehu vlerësime për përpjekjet e Shqipërisë për të ruajtur dhe forcuar marrëdhënien kino-shqiptare, sidomos mbështetjen shqiptare për çështje të rëndësishme të qeverisë kineze. Ai theksoi se qëllimi i vizitës synon rritjen e besimit politik reciprok dhe forcimin e shkëmbimeve të mëtejshme ndërmjet KKPK-së kineze dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kryesuesi i delegacionit të KKPK-së i dha rëndësi faktit që gjendemi në prag të 70-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe dhe u ndal te aktivitetet që do të ndërmerren nga të dy palët.

Kina, sipas z. Qingli, i kushton rëndësi të madhe marrëdhënies tradicionale me Shqipërinë dhe do që ta rrisë më tej këtë nivel bashkëpunimi. “Kina është partneri i katërt i Shqipërisë në tregti. Kina është e gatshme të bëjë përpjekje për të shfrytëzuar mirë nismën “Një brez një rrugë”, bashkëpunimin “16+1” për të eksploruar potencialin e bashkëpunimit në të gjitha fushat: infrastrukturë, bujqësi, turizëm, kulturë, arsim, shëndetësi, radio-televizion, për të nxitur në shkallë më të lartë këto marrëdhënie”,- u shpreh në takim z. Zhang Qingli, Zëvendëskryetar i Komisionit Kombëtar të Konferencës Politike Konsultative të Popullit Kinez.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi i dha rëndësi në fjalën e saj forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe parlamenteve përkatëse. Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se vendi ynë i plotëson kushtet për të eksportuar më tepër produkte bujqësore, e në këtë drejtim, në shkëmbimet tregtare bujqësore Kina dhe Shqipëria mund ta shtrinë më tej marrëdhënien e tyre. Zëvendëskryetarja Hysi vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Kina ndaj projekteve të ndryshme në energji, turizëm, nivel vendor dhe bashki të ndryshme. Për znj. Hysi Nisma “16+1” dhe “Një brez, një rrugë” përbëjnë një mundësi të mirë për të zgjeruar dhe forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe investimet kineze në Shqipëri dhe rajon. Ajo vlerësoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin ne fushën e turizmit, në drejtim të afrimit të një numri më të madh turistësh kinezë, por edhe në drejtim të përthithjes së investimeve kineze në sektor. Znj. Hysi kërkoi nga delegacioni kinez që në kuadër të forcimit të bashkëpunimit qeveria e Republikës Popullore të Kinës të marrë në konsideratë heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit u ndal në fjalën e saj edhe te çështja e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. “Ne kuadër te sigurisë ne Ballkan dhe zhvillimit te Ballkanit, krahas zhvillimeve, investimeve, projekteve, do të doja të përsërisja edhe një herë kërkesën e bërë gjatë vizitës në Kinë vitin e kaluar, për kontributin e Kinës në njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Nisma “16+1” dhe “1 brez, 1 rrugë”, do të forcojnë ekonominë në rajonin e Ballkanit, por njëkohësisht vlerësojmë shumë të rëndësishme edhe njohjen e shtetit të Kosovës dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”,- përmbylli fjalën e saj në takim znj. Vasilika Hysi.

Znj. Hysi shoqërohej në takim nga deputetët e Partisë Socialiste: z. Bashkim Fino, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të miqësisë me Kinën dhe znj. Eglantina Gjermeni dhe z. Niko Peleshi. Deputetët patën mundësinë gjatë takimit të shprehnin edhe ata konsideratat dhe sugjerimet e tyre konkrete në drejtim të forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe. Pas takimit, delegacioni i KKPK-së kineze dhe grupi parlamentar i miqësisë Shqipëri-Kinë do të merrnin pjesë në një drekë zyrtare pune.

- Reklamë -

LEXO MË SHUMË

Aksioni i policisë arreston 20 persona

Gjatë së enjtes, Policia e Kosovës ka arrestuar gjithsejtë 20 persona për vepra dhe incidente të ndryshme. Arrestimet kanë ndodhur në rajone të ndryshme të...

Fillojnë punimet në rrugën Varosh-Gërlicë të Ferizajt

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, i shoqëruar edhe nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu me bashkëpunëtorë, si dhe deputetë të kësaj ane,...

Zyrtare/ Rama propozon ish ministrin e Berishës për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka firmosur vendimin e Këshillit të Ministrave, për propozimin në Kuvend të emrave kandidatë për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Mes...

Së fundi

Ivanov: Pres që në samitin e radhës të bëhemi pjesë e NATO-s

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, pret që në samitin e radhës në NATO Maqedonia përfundimisht të bëhet anëtare e Aleancës, ndërsa Greqia të tregojë...

Në paga e pensione u shpenzuan rreth 700 milionë euro këtë vit

Nga 834 milionë euro të shpenzuara nga institucionet e shtetit gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti vetëm 180 milionë euro janë shpenzime kapitale,...

Gjonaj-Bonafede, forcim të bashkëpunimit gjyqësor

Forcimi i bashkëpunimit gjyqësor ka qenë në fokus të takimit të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe homologut të saj italian Alfonso Bonafede në...