Hoti: Vendi të përgatitet për zgjedhje

Është e palogjikshme që kjo Qeveri e cila ka marrë vendime skandaloze dhe të vazhdojë më tutje, por vendi duhet të përgatitet për zgjedhje të reja. Kështu thotë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, sipas të cilit kjo është një Qeveri copë-copë, e cila është formuar gjoja për vendime të mëdha, e të cilat nuk po mund t’i marrë.

“U bënë katër muaj, pesë muaj që është formuar kjo Qeveri. Asnjë prej këtyre vendimeve të mëdha, jo që nuk është aprovuar, nuk ka kaluar nëpër institucione përkatëse, por as nuk ka gjasa që të kaloi në të ardhmen e afërt, për shkak të divergjencave që ekzistojnë brenda koalicionit. Kjo është në fakt ajo arsyeja kryesore që ne e kemi kritikuar qysh në fillim këtë Qeveri, sepse nuk është bërë mbi bazën e një platforme të punëve që duhet të kryhen gjatë qeverisjes, por është bërë thjeshtë mbi bazat e një interesi të ngushtë të partive në koalicion. Një Qeveri që është copë copë prej partive të vogla, që nuk kanë orientime të njëjta, që nuk i lidhë asgjë e përbashkët, përveç dëshirës për të qenë në pushtet”, tha Hoti.

Hoti thotë se nuk do të tolerojnë që edhe më tej të zvarritet çështja e demarkacionit, pasi nuk ka arsye që kjo çështje të prolongohet më tutje.

“Kjo Qeveri, ky person që është në krye të Qeverisë, e sjellë në Kuvend të njëjtën marrëveshje. Kjo është e pa tolerueshme. Ne si LDK e kemi qëndrimin e qartë, ne e mbështesim këtë marrëveshje, ne mendojmë se është dashur të kryhet para dy tri viteve dhe do ta mbështesim kurdo që vjen në kuvend. Nuk ka arsye që të prolongohet më tutje, është keq që po luhet me dy karta në kuptimin që para ndërkombëtarëve flasin tjera gjëra dhe tjera gjëra në fakt veprojnë brenda institucioneve. Ne nuk do të tolerojmë kështu, marrëveshja duhet të vie në Kuvend, duhet të mbështete dhe nëse nuk mbështetet, duhet të japin përgjegjësi ata njerëz që po sillen në këtë mënyrë sepse kanë ardhur në pushtet për të mbërri marrëveshje të reja gjoja me Malin e Zi, me ato pretendimet e tyre me komisione të ndryshme që i kanë formuar, prej se kanë ardhur në Qeveri”, tha ai. .

Ndërkaq e quan skandaloz, vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagave, por thotë se nuk është ky i vetmi vendim skandaloz i tij, sepse kryeministri vendime të tilla ka marrë dhe me rastin e faljes së borxheve për prodhuesit e ujit, i cili së shpejti duhet të dorëzohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, pasi që është tejkalim i kompetencave të kryeministrit.

Edhe vendimet tjera për ndarjen e mjeteve nga rezervat shtetërore, sipas tij, në disa raste është në kundërshtim me ligjin, e që është shpërdorim i mjeteve të parave publike. Hoti thotë kryeministri do të duhej ta ruante buxhetin e shtetit dhe jo ta shpërdorojë atë, siç bënë ai duke e nda, sipas interesave të ngushta.

“Mendoj që ka qenë vendimi më skandaloz i mundshëm, që mund të marrë dikush, është konflikt i hapur interesi që vet Qeveria t’ia rriës pagat. Kryeministri ta nënshkruaj një vendim që ia rritë pagën drejtpërdrejte vetës dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë. Ne patëm punuar shumë në Qeverinë paraprake për përgatitjen e ligjit për pagat, për krejt punëtorët në sektorin publik, por nuk arritët që ligji të procedohet më tutje. Mënyra e vetme për të rregulluar pagat në sektorin publik është përmes ligjit, jo përmes vendimeve arbitrare të Qeverisë, që është në fakt konflikt interesi…. Pavarësisht a ka bazë ligjore apo jo, nuk ka etikë, nuk është etike në një situatë të tillë, në të cilën gjendemi të dyfishohen pagat, vetëm të stafit politik, brenda Qeverisë dhe ne kemi ditur ta bëjmë të njëjtën gjë, por nuk e kemi bërë, kemi dashur që këto çështje të rregullohen me ligj”, tha ai.

Hoti ka folur dhe lidhur me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, iniciativë kjo e cila sipas tij e ka fut Kosovën në një cikël të izolimit ndërkombëtar.

“Edhe kjo është hipokrizia që e kemi parë më 22 dhjetor e këndej. Në fakt nuk është vetëm iniciativë që është parë më 22 dhjetor, ka qenë edhe më herët dhe në prillin e vitit 2017, ka filluar si ide të qarkullojë, por atëherë kur ne kemi qenë në Qeveri, e kanë parë që e kanë të pamundur që të marrin veprime të tilla. Tash me veprimin që është marrë, në fakt Kosova ka hyrë në një cikël të izolimit ndërkombëtar që nuk ka qenë asnjëherë kështu. Unë shpresoj që jetëgjatësia e kësaj qeverie, nuk do të jetë e madhe dhe ne do të kthehemi në kursin normal të politik bërjes në Kosovë dhe ruajtjes së partneritetit ndërkombëtar. Kemi nevojë për partneritet strategjik me miqtë tanë ndërkombëtar, të cilin këta e kanë cenuar, me këto vendime për shfuqizimit të ligjit për dhomat e specializuara”, tha ai.

Ndërsa thotë se brenda muajit shkurt, gjërat do të definohet dhe se kjo Qeveri duhet të shkojë, pasi që vendit i duhet një Qeveri pro-evropiane, me njerëz kredibil, me të kaluar të pastër, që mund të marrin përsipër zhvillime dhe vendime të mëdha.

“Po besoj që brenda shkurtit, çështjet do të definohen përfundimisht. Me shqyrtimin e marrëveshjes së demarkacionit, kjo çështje bëhet e qartë, nëse sillet e njëjta marrëveshje e demarkacionit për votim, e që është sjellë në fakt e njëjta që është negociu dhe që është nënshkruar nga Qeveria paraprake, sigurisht duhet të kaloi në Kuvend dhe ne do ta mbështesim, por kjo Qeveri nuk mund të vazhdoj më tutje sepse nuk ka logjikë. Ka ardhur në Qeveri me kauzën e vetme që kjo marrëveshje është gabim dhe do të arrihet një marrëveshje e re me Malin e Zi dhe tash pajtohet që të procedojmë me të njëjtën marrëveshje. Nëse nuk kalon, nuk ka logjikë që të vazhdohet më tutje ky koalicion qeverisës. Edhe unë besoj që vendi duhet të përgatitet shpejtë për zgjedhje të reja. Duhet një klasë e re komplet një klasë e re politike. Një Qeveri pro evropiane, një qeveri me njerëz kredibil me të kaluar të pastër që mund të marrin përsipër zhvillime, që duhet të ndodhin në këtë vend dhe vendime të mëdha që duhet t’i ndodhin Kosovës, për ta përgatitur vendin për integrimet evropiane”, tha ai.

Ndërsa nuk komentoi darkën e krerëve institucional, në shtëpinë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bexhet Pacollit, duke thënë se është çështje e tyre private, ku shkojnë në darka e dreka dhe se ajo që atij i intereson, është puna brenda institucioneve dhe vendimmarrja institucionale. /Telegrafi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi