Hije të 21 Janarit dhe Rrugës së Kombit, te Unaza e re

Kohëve të stuhishme politike në Shqipëri, iu shtua së fundi dhe një tjetër zhvillim, ai që lidhet me shpronësimet te zona e njohur si e “Astirit”, ku, si pasojë e një projekti infrastrukturor, shumë familje duhet të braktisin banesat e tyre. Dhe si për çdo gjë krijohet një gurgule politike e mediatike, ku diktatin e kanë mendjet e nxehta dhe arsyetimet që përvlëojnë.

Dhe kjo trazirë e fundit politike ngjan në disa linja me ato të kaluarat.

Protesta e enjtes para parlamentit na kujtoi 21 Janarin. Dhe jo thjesht për dhunën e ushtruar, por për faktin se sërish pati një gjysmëviktimë, kësaj here nga radhët e forcave të Rendit, ku opozita, sërish në pozitë të vështirë për shkak të të qënit nën akuzë, përdor arsyetime gati të njëjta për t’ju shmangur ca të vërteta që shihen me sy të lirë. Për të vrarët e 21 Janarit, Berisha tha se ato janë qëlluar nga brenda turmës me çadra pistoletë. Siç u provua shpejt, punë orësh, pa asnjë kundërshtim nga as vetë Berisha, ata ishin vrarë nga trupat e Gardës duke u qëlluar direkt në mish, që nga pozicioni i tytës.

Ndërsa të enjten e 22 nëntorit, plagosja e efektives Ina Nuka, së cilës iu këputën gishtat nga një kapsolle me efekt bombe, u arsyetua se ajo nuk ishte e trajnuar. Por më vonë, nga vetë rrëfimi i të plagosurës, u mësua se ajo ishte e detyruar ta kapte me dorën mjetin plasës, për shkak se i kishte ngecur në qafë.

Ndërsa LSI, përdori një tjetër kartë sofizmi për rastin. Me gjuhën e znj. Kryemadhi u tha se dhuna ishte inspiruar nga fjalimi i Ramës në parlament (!).

Në këtë lloj zhvillimesh, pushteti, i cili gjithnjë është më i ekspozuar ndaj kritikave, meriton gjithnjë kritika për formën e zgjedhur të aplikimit të politikave të saj, ku në këtë rast veçon komunikimi, por është tjetër përgjegjësia penale e tjetër ajo politike. Të vrarët e 21 Janarit dhe plagosja e polices Ina Nuka, janë përgjegjësi penale. Në këtë sens, edhe opozita më 21 Janar, duhej të mbante përgjegjësi penale për frymëzimin e turmave për dhunë ndaj institucioneve shtetërore.

Vijmë te protestat te Unaza. Njësoj si te tarifat e Rrugës së Kombit, opozita e ndërton ligjërimin e saj refuzues pa asnjë referencë, as ligjore e as teknike. Qeverisja po vepron me anë të një ligji të miratuar nga vetë ajo, opozita dje në pushtet, por kjo e fundit i shmanget tërësisht debatit me referencë ligjore. Si tek tarifimi i Rrugës së Kombit. U vërtetua se dhe Berisha e kishte hartuar një projekt për pagesën e rrugës, madje me tarifa më të larta, ndërsa ai i qeverisë Rama u hartua nga dy ish-ministra të LSI-së. Megjithatë, PD-LSI, të dyja në korr e kundërshtonin, mbështetur në një gjuhë 100 përqind populiste, pa ofruar asnjë version alternativ.

Duke iu kthyer projektit të Unazës së re, opozita e ka vendosur betejën e vet në dy linja: e para në mbrojtje të banorëe dhe e dyta tek akuza për aferë korruptive.

Te e para, nuk arrin të thotë se ku janë shkeljet e qeverisë dhe të ç’forme janë ato? Janë ligjore apo etike? Nëse janë ligjore, ku, ç’ligj është shkelur, ç’nen, ç’precedent? Nëse janë shkelje etike, cilat janë ato?

Ndërsa ligjërimi qeveritar i përgjigjet me gjuhë shkresore për çdo rast, duke u arsyetuar vetëm me referenca ligjore, ka një dispropocion në kahjen tjetër; gjithçka ka vetëm gjuhë populiste. Termin “shpronësim” në ligjin që vetë opozita e ka hartuar dje pikërisht për këto raste, sot e përkthen si “nxjerrje jashtë e familjeve”(!). Nga ana tjetër, si për shumë raste të tjera, nuk ofron precedentët e saj se si ka vepruar në raste të ngjashme kur ka qenë në kushte pushteti. Nuk ofron gjithashtu as versionin se si do e zgjidhte ajo këtë çështje nëse do ishte në pushtet.

Kalojmë te akuza për aferë korruptive. Edhe këtu ka një populizëm të shfrenuar, deri dhe fyes për një inteligjencë normale. Në ligjërimin e tij, kreu i opozitës, e më pas gjithë zërat opozitarë, sajojnë aty për aty tre apo katër fraza shabllone, dhe me to ndërtojnë gjithë narrativën akuzuese, duke abuzuar me anën ndjesitë e trazuara të gjindjes. Edhe çështja e korrupsionin ose jo në një vepër publike, është çështje ekspertësh.

Pyetje: me cilët ekspertë opozita e vërtetoi se aty ka aferë? Kush janë ata dhe nëse ekzistojnë, e kanë studiuar dosjen, kanë bërë analizat, zbërthimet e kanë konkluduar më në fund se aty ka vjedhje, pse nuk ja kanë paraqitur atë publikut? A ka opozita një dosje të kësaj afere që mund ta dërgojë dhe në Prokurori? Ku është kjo dosje, ç’thuhet aty, si u arrit në konkluzionin se ka vjedhje? Më konkretisht, kush është dhe njëherësh kush do ishte njeriu i opozitës që mund të ballafaqohet me kreun e ARRSH-së Afrim Qendro për rastin në fjalë?

Kjo është forma e qasjes që të afron te e vërteta, te ajo që i duhet publikut për të qenë i qartë mbi një çështje të caktuar, pavarësisht nëse do i interesonte apo jo. Të tjerat janë thjesht zhurrmë. Si te Rruga e Kombit: nuk ka më bukur që rruga të ishte pa pagesë. Por çështja shtrohet nëse kjo është e mundur? Siç u pa, i pari që e kish kuptuar se kjo ishte e pamundur, kish qenë vetë Berisha, njeriu i rrugës! /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi