Hetoi Shpëtim Gjikën dhe riktheu në burg biznesmenin e fuqishëm, kush është prokurori i dosjeve “të nxehta” që iu bë atentat me eksploziv

Një tjetër njeri i drejtësisë është goditur në ditët e fundit të këtij viti. Bëhet fjalë për prokurorin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Albert Kuliçi, të cilit iu dërgua një mesazh paralajmërues përmes tritolit.

Prokurorit iu bë atentat, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku u hodh në erë me eksploziv automjeti i tij. Ky ishte vetëm një mesazh paralajmërues për prokurorin, i cili në karrierën e tij në sistemin e drejtësisë ka hetuar edhe disa dosje “të nxehta”.

Një ndër dosjet e bujshme të prokurorit Kuliçi është ajo e ish-kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, ish-nënkryetarit të Bashkisë, Ardian Musta, dhe disa ish-zyrtarëve të kësaj bashkie.

Në shkurt të vitit 2019, prokurori i Vlorës, Albert Kuliçi, ngriti ndaj personave të mësipërm akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për çështjen e koncesionit 15-vjeçar të parkimeve në rrugët e qytetit bregdetar, duke dërguar dosjen në gjykatë, dhe duke kërkuar njëkohësisht arrestimin e ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika.

Përveç kësaj, Kuliçi ka hetuar edhe një tjetër dosje të bujshme, siç është ajo e tjetërsimit të 100 hektarëve tokë në zonën e Akërnisë në Vlorë, për të cilën ka shkuar në pranga biznesmeni i fuqishëm, Pëllumb Petritaj.

Ky i fundit ishte arrestuar në vitin 2018, por ishte lënë i lirë me një garanci pasurore prej 25 milionë lekësh të vjetra.

Por, ishte pikërisht prokurori i çështjes, Albert Kuliçi, i cili kërkoi sërish arrestimin e biznesmenit. Kërkesa e prokurorit u zbatua nga Policia e Vlorës, e cila çoi sërish në pranga biznesmenin Petritaj, në nëntor të vitit 2019.

(d.ç./BalkanWeb)

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi