Hetohet për privim lirie, Salvini: Turp i Prokurorisë! Hetimet, medalje nderi

Drejtësia italiane ka nisur hetimet ndaj Matteo Salvinit për rastin e anijes “Diciotti”. Me refuzimin e tij kokëfortë, ministri italian i Drejtësisë duket se shkoi shumë larg dhe, pas dramës së emigrantëve që nuk lejoheshin të zbrisnin nga anija, kanë filluar verifikimet ndaj anëtarit të kabinetit qeveritar, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe privim lirie.

Salvini konfirmoi se ndaj tij po hetohet, sepse në mes të muajit gusht ai kishte urdhëruar që njerëzit që shpëtoheshin nga anijet në detin Mesdhe duhet të lejohen të zbresin nga bordi i anijeve, vetëm pasi shtetet e tjera europiane të kenë rënë dakord që të pranojnë disa emigrantë.

Pas një sërë ditësh diskutimesh të kota mes vendeve të BE-së, Shqipëria, Irlanda dhe Kisha Katolike në Itali ranë në fundjavë dakord të strehojnë 140 emigrantët e mbetur në anijen “Diciotti”.

Shqipëria do të marrë 20 prej tyre. Ministri e kritikoi ashpër hapjen e hetimeve të Prokurorisë së Agrigentos kundër tij.

“Është e pabesueshme të jetosh në një vend, ku 10 ditë më parë u rrëzua një urë nën të cilën vdiqën 43 vetë dhe askush nuk po hetohet”, tha ai në një miting në Pinzolo, në Italinë e Veriut.

“Prokuroria heton kundër një ministri që do të mbrojë kufijtë e vendit të tij! Ky është turp”, u shpreh Salvini, duke i cilësuar sidoqoftë hetimet “një medalje nderi”. Sondazhet tregojnë se popullariteti i tij është rritur ndjeshëm, që kur qeveria e re mori detyrën në qershor./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi