“Hetimi për shitjen e Milanit, një sulm politik”

Hetimi mbi shitjen e Milanit nga Silvio Berlusconi te Yonghong Li rezulton të jetë një lajm i rremë. Mëngjesin e kësaj të shtune, “La Stampa” publikoi një lajm sipas të cilit një hetim është hapur nga Prokuroria e Milanos për “shitjen me çmim të mbivlerësuar dhe të ardhura financiare nga Hong Kongu”.

Prokurorët, lexohet më tej në këtë të përditshme, “kanë hapur një hetim, që mes të tjerash pritet të verifikojë edhe nëse ka pasur pastrim parash apo jo”.

Mbi këtë pistë, sipas “La Stampa”-s, po punon prokurori i caktuar Fabio de Pasquale, i cili po heton çdo detaj të shitjes së klubit kuqezi nga Berlusconi, te sipërmarrësi kinez Yonghong Li, e përfunduar në prill të vitit 2017 për 740 milionë euro.

Megjithatë, brenda pak orësh burime nga organi i hetuesisë kanë konfirmuar ekzistencën e një procedure të hapur prej rreth 10 ditësh, por këtu bëhet fjalë për një tjetër model hetimi (regjistri i raporteve të krimit kundër personave të panjohur), që nuk parashikon mes të hetuarve ish-presidentin kuqezi Berlusconi.

Mbetet për t’u parë nëse hetimi është hapur pas një ankese të një pale të tretë, apo nëse është vazhdë e hetimeve të mëparshme mbi çështjen e të drejtave televizive (ku përfshihet edhe shitja e Milanit). Por prokurori De Pasquale mund të jetë bindur të nisë hetimet për shkak të disa zhvillimeve.

Mbi këtë çështje ka reaguar edhe Niccolo Ghedini, avokat i Berlusconit, i cili përmes një komunikate të ashpër ka hedhur poshtë artikullin e publikuar nga “La Stampa”.

“Sërish një e përditshme shtypi, me një konotacion të qartë politik e sipërmarrës, sulmon presidentin Berlusconi me një njoftim tërësisht të shpikur. Mbrëmjen e djeshme ishim paralajmëruar se njoftimi fals do të publikohej sot në të përditshmen La Stampa. Kemi paralajmëruar menjëherë drejtorin e kësaj gazete dhe një prej gazetarëve mbi supozimin totalisht të pabazë, pangjashmërinë dhe falsitetin e tij. Në fakt, mohimi më i qartë dhe i pastër për ekzistencën e një hetimi, veçanërisht që përfshin presidentin Berlusconi, ka ardhur nga Prokuroria e Republikës së Milanos, të cilën e falënderoj për kohën e komunikimit mbi këtë çështje. Kështu që është e qartë se vullneti kokëfortë për të shpifur, që mund të ketë si qëllim vetëm ndërhyrjen në garën e ardhshme zgjedhore”, deklaroi avokati Ghedini.

Sa i përket komunikatës së Prokurorisë së Milanos, kryeprokurori Francesco Greco është shprehur: Për momentin nuk ekzistojnë procedime penale mbi shitblerjen e Milanit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi