Henije thirrje për intifadë të re për Jerusalemin

Kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Henije, ka bërë thirrje që nga e premtja të fillohet intifadë e re palestineze kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Përmes një deklarate për mediumet në zyrën e tij në Gaza, Henije ka kërkuar t’i jepet fund procesit të bisedimeve për paqe, duke kërkuar nga qeveria palestineze të tërhiqet nga Marrëveshja e Oslos.

“Vendimi i SHBA-ve për Jerusalemin nënkupton se tanimë ka filluar një proces i ri politik. Procesi i paqes është varrosur përfundimisht”, tha Henije. Ai po ashtu i ftoi liderët e Palestinës dhe ata të vendeve arabe dhe muslimane ta bojkotojnë qeverinë amerikane.

“Kërkojmë që nga nesër të fillohet intifadë e re kundër vendimit të SHBA-ve”, theksoi shefi i Byrosë Politike të Hamasit, duke shtuar se Jerusalemi, në lindje dhe perëndim, ka identitet arab dhe musliman.

“Po ashtu, Palestina është një tërësi e cila nuk pranon dy shtete ose entitete. Ashtu sikurse Palestina është e jona, edhe Jerusalemi është i yni. Ndërkaq, Izraeli okupator nuk mund të ketë legjitimitet në trojet palestineze”, shtoi ai.

Duke theksuar nevojën për përshpejtimin e hapave për arritjen e unitetit dhe pajtimit palestinez, Henije nënvizoi se tejkalimi i mosmarrëveshjeve mes palestinezëve tashmë është çështje e pashmangjshme.

Po ashtu, Henije e vlerësoi pozitivisht thirrjen e presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan për mbledhje të jashtëzakonshme të Organizatës për Bashkëpunim Islam në lidhje me Jerusalemin.

Ndryshe, presidenti amerikan Trump të mërkurën deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) në vitin 1980 nuk e njeh aneksimin e Jerusalemit Lindor dhe shpalljen e tij si kryeqytet.

Okupimi gjysmëshekullor i Jerusalemit fitoi përmasa të reja

Izraeli, i cili më 5 qershor të vitit 1967 okupo Jerusalemin Lindor, në vitin 1980 në mënyrë të njëanshme e shpalli pjesën lindore dhe perëndimore të qytetit si “kryeqytet i bashkuar”.

KS-OKB, përmes rezolutës 478 të miratuar në vitin 1980, e shpalli të pavlefshëm aneksimin dhe shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet nga ana e Izraelit.

Në kuadër të rezolutës së KS-OKB-së, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-të, pranojnë se Jerusalemi Lindor gjendet nën okupim.

Të gjitha shtetet që njohin qeverinë izraelite kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Asnjë shtet nuk e pranon Jerusalemin ose pjesën lindore dhe perëndimore të saj si kryeqytet.

Me deklaratën e presidentit Trump, SHBA-të u bënë vendi i parë që e njohën Jerusalemin si “kryeqytet të Izraelit”./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi