Haradinaj takim me homologun bullgar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta dhe bashkëpunim ekonomik dhe politik me shtetin bullgar.

Haradinaj ka pritur në takim kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, i cili ndodhet për vizitë në Kosovë.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se Haradinaj gjatë takimit me homologun e tij bullgar është shprehur se: “Bullgaria e ka një aleat, Kosovën. Jemi të nderuar me prezencën tuaj në vend dhe vendet tona nuk i ndanë asnjë temë”.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga Borisov mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve.

“Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, është shprehur kryeministri i Kosovës.

Nga ana tjetër, thuhet në njoftim, kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, ka shprehur “përkushtimin e vendit të tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dyja vendeve, partneritetit ekonomik dhe rrugën e përbashkët evropiane”.

“Midis shteteve tona nuk ka çështje të hapura. Synimet tona për investimet infrastrukturore dhe në fusha të tjera e kanë në fokus edhe Kosovën”, ka thënë Borisov, i cili e ka ftuar kryeministrin Haradinaj në një vizitë zyrtare në Bullgari.

Kujtojmë se kryeministri bullgar është pritur në takim nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe është nderuar me Medaljen presidenciale nga ky i fundit./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi