Haradinaj: Roli i Gjermanisë, i rëndësishëm në të gjitha zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit tonë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Berlin, me ftesë të kancelares Angela Merkel, pati një mëngjes pune me deputetët Josip Juratovic (SPD), Kryesues i grupit parlamentar të miqësisë së EuropësJuglindore, Friedrich Ostendorff (BÜNDNIS 90/DIE GRÜNEN), Zëvendëskryesues dhe Nezahat Baradari (SPD).

Kryeministri Haradinaj, fillimisht i ka falënderuar anëtarët e Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore të Bundestagut, për kontributin e jashtëzakonshëm që Gjermania ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat e shtetkrijimit, duke qenë ndër përkrahësit dhe partnerët strategjikë të shtetit të Kosovës në proceset e konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm si dhe në rrugën europiane të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj i ka njoftuar deputetët gjermanë për të arriturat në vend, përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, Agjendën e Reformave Europiane dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Kisha kënaqësinë të takohem me deputetët gjermanë me të cilët bisedova për zhvillimet e gjithmbarshme në vend, për bashkëpunimin bilateral Kosovë-Gjermani, procesin e dialogut, i cili duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse, ligjërisht obligative, që nënkupton njohjen reciproke dhe çështje të tjera me rëndësi jetike për vendin. Jemi me fat që kemi një shtet mik siç është Gjermania, roli i së cilës është i rëndësishëm në të gjitha zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit tonë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj, falënderoi shtetin gjerman, për mbështetjen e fuqishme për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se qytetarët e Kosovës, rinia jonë, janë të vetmit në rajon që kanë mbetur të izoluar dhe me të drejtë presin që Gjermania ta përmbyllë këtë proces, pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së.

“Jemi të vetëdijshëm se Qeveria Gjermane ka rol të madh në këtë proces dhe shpresojmë në vullnetin politik të shteteve të BE-së për ta finalizuar liberalizimin e vizave”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj, konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim në të gjitha fushat, me theks në zhvillimin ekonomik, duke përmendur Parkun Inovativ Gjermano-Kosovar në Prizren, i cili është dëshmi se Kosova angazhohet në krijimin e kushteve sa më të mira për investime.

Deputetët gjermanë falënderuan kryeministrin Haradinaj për vizitën që po i bën Berlinit, duke konfirmuar përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë për proceset politike, zhvillimore dhe integruese në Kosovë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi