Hapja e universiteteve nëpër qytete për thithje votash: a po e pranon gabimin Hashim Thaçi?

Nga Blendi Gashi

Me vendim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, tani president, komunat kryesore të Kosovës u shndërruan në “qytete universitare”.

Në Pejë u themelua universiteti “Haxhi Zeka”, në Gjilan “Kadri Zeka”, në Prizren “Ukshin Hoti”, në Mitrovicë “Isa Boletini”, në Gjakovë “Fehmi Agani dhe në Ferizaj i Shkencave të Aplikuara, çka Thaçi atë kohë mburrej, duke thënë se këto universitete do jenë përcaktues në edukimin dhe krijimin e kuadrove të reja.

Por hapja e këtyre universiteteve u kritikua jo pak nga opozita dhe njohësit e fushës së arsimit që thanë se kjo u bë për vota në kohë fushatash zgjedhore dhe pa një plan konkret.

Përkundër këtyre kritikave, Thaçi sa ishte ministër i Jashtëm mbrojti vendimet e tij për hapjen e universiteteve. Këtë e bëri pas një vizite në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, më 21 dhjetor të 2014-tës, ku u nënshkrua një marrëveshje me Universitetin e Rijekës së Kroacisë.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim akademik ndërmjet Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” dhe atij të Rijekës së Kroacisë, është një e arritur e rëndësishme e arsimit të lartë në Kosovë. Kjo dëshmon se sa i drejtë ka qenë vendimi për hapjen e universiteteve publike në qendrat më të mëdha të Kosovës. Një ndër prioritetet e mia do të jetë nxitja e përfshirjes së studentëve, profesorëve e shkencëtarëve kosovarë në shkëmbime dhe bashkëpunime akademike ndërkombëtare”, deklaroi atë kohë Thaçi.

Por katër vite më vonë, siç duket i njëjti ka ndryshuar paksa qëndrim, ku në një mënyrë pranon se universitetet nuk po nxjerrin gjenerata studentësh të suksesshme dhe për treg pune, për çka shpreh pakënaqësinë me cilësinë, duke thënë se nuk është e mjaftueshme vetëm marrja e diplomës.

“Kam kënaqësinë që dhe jam shumë i nderuar që marr pjesë në hapjen e punimeve të javës së shkencës, që po organizohet për herë të 10-të nga MASHT. Kjo organizohet në një rrethanë të re në kohën kur Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Puna kërkimore dhe shkencore konsiderohet si mjeti më i rëndësishëm për dije. Shoqëria ju pret që të determinoni jo vetëm të sotmen por edhe të përcaktoni qartë se ku do të jemi pas dy ose tri dekada. Besoj që pajtohemi që nuk mjafton të nxjerrim vetëm student të diplomuar, duhet të lëvizim më shpejt, më mirë dhe në mënyrë më cilësore se të tjerët”, deklaroi Thaçi të martën në konferencën “Java e Shkencës 2018” të organizuar nga Ministria e Arsimit.

Qëndrueshmëria e universiteteve në pikëpyetje…

Se universitetet e hapura nga Thaçi nuk kanë sjellë cilësi, e ka thënë kohë më parë edhe vet ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili ka paralajmëruar se universitetet në fjalë, përveç atij të Prishtinës, mund të shndërrohen në fakultete të profilizuara me nevojat e rajoneve ku ndodhen.

Bytyqi paralajmëroi se komisioni i formuar për të vlerësuar gjendjen e universiteteve publike, do të dalë me një raport i cili do të tregojë qëndrueshmërinë e tyre, por që deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

“Në kuadër të vlerësimit, nëse vërejmë që cilësia nuk është në nivelin e duhur, dhe qëndrueshmëria vihet në pikëpyetje, atëherë këto universitete mund të shndërrohen në fakultete përkatëse, të dy universiteteve në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për mbyllje të fakulteteve, por vetëm për shndërrim në kampuse të dy universiteteve në Kosovë”, theksoi Bytyqi, duke shtuar se krejt kjo po bëhet për të ngritur cilësinë në arsim.

Por kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në kohën sa ishte opozitar kritikonte Thaçin për hapjen e universiteteve me arsyetimin se Kosova s’ka nevojë për një numër të tillë, tashmë thotë se duhet pasur kujdes se si do veprohet.

Kujtojmë se gjashtë universitetet e themeluara nga Thaçi po ballafaqohen me probleme të shumta, por kryesoret janë: pezullimi i programeve akademike nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), mungesë e stafit adekuat akademik dhe mungesa financiare. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi