• Home
  • KOSOVA
  • Hapet “Java Kundër Korrupsionit 2017 në Kosovë”
KOSOVA

Hapet “Java Kundër Korrupsionit 2017 në Kosovë”

Spread the love

Në organizim të Koalicionit të Organizatave Joqeveritare (OJQ) me mbështetje të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë sot është hapur “Java Kundër Korrupsionit 2017 në Kosovë” me pjesëmarrjen e ambasadorëve të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Java Kundër Korrupsionit 2017” do të zgjasë deri më 9 dhjetor kur do të shënohet edhe “Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit”. Kjo javë ka për qëllim sensibilizimin e publikut dhe aktorëve në luftën kundër korrupsionit.

Në këtë ngjarje, fjalë rasti kanë mbajtur të gjithë ambasadorët e Quint-it në Kosovë. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, gjatë fjalës së tij duke iu drejtuar qytetarëve të Kosovës tha se kjo është lufta e tyre dhe duhet ta luftojnë këtë fenomen.

Ai po ashtu tha se ka ardhur koha të miratohet ligji për prokurimin disiplinor në Kuvend, i cili sipas tij, do të jetë një hap jetik në forcimin e kontrollit të pushtetit dhe të llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Reforma e prokurimit publik paraqet një hap tjetër të rëndësishëm në luftimin kundër korrupsionit, ku mbi 40 për qind e buxhetit të Kosovës shkon përmes prokurimit publik. Korrupsioni në këtë fushë ka pasoja të shumta, pengon investimet ekonomike, ofrimin e shërbimeve komunale, qasjen në kujdesin shëndetësor, arsimin. Qeveria ka bërë përparim inkurajues për reformën e kësaj çështjeje, por qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë”, tha Delawie.

Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt tha se sa i përket çështjes së luftimit të korrupsionit, kredibiliteti është jashtëzakonisht thelbësor që nënkupton edhe raportimet nga mediat në mënyrë të duhur.

“Mediat e pavarura duhet të punojnë në këtë çështje, duhet ta ngrisin vetëdijen sepse drejtësia mund të merret vetëm në rastet e korrupsionit veç e veç pra individualisht. Shteti dhe shërbyesi publik mund ta parandalojnë ose të përpiqen ta parandalojnë mirëpo vetëdijësimi duhet të ngritet për tërë shoqërinë nga mediat”, u shpreh Heldt.

Ndërkaq, Shefja e Zyrës së BE- së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se zyrtarët publik të cilët janë përfshirë në vepra korruptive dhe ka aktakuza ndaj tyre duhet të suspendohen duke shtuar se ata të cilët janë dënuar duhet të largohen nga puna.

“Korrupsioni duhet plotësisht të çrrënjoset nga institucionet publike sepse interesat e opinionit publik duhet të minohen nga interesat e dikujt. Të gjithë ata që kanë vepra korruptive dhe kanë pasuri të përfituar përmes veprave korruptive duhet që të mos i gëzojnë ato fryte sepse korrupsioni ka një çmim të madh për të gjithë shoqërinë”, tha Apostolova.

Kujtojmë se pjesë e këtij koalicioni janë Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP, Iniciativa për Proges (INPO), Organizata Çohu, Instituti KIPRED dhe Instituti Columbus.

Related posts

Pacolli u bën me dije serbëve nëse do të krijohet Shqipëria e Madhe

dritatv

Lista Serbe kundërshton FSK-në edhe në mbledhjen e qeverisë

dritatv

Pensionistët do të ngrejnë padi ndaj Qeverisë dhe Kuvendit

dritatv

Leave a Comment