Hahn në Shkup: Të rinjtë të votojnë në referendum që të mos u ndodh Brexit-i

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni pas takimit me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, porositi se “të rinjtë në Maqedoni duhet të votojnë në referendum që të mos u ndodh Brexit-i”.

“Të rinjtë e Maqedonisë duhet në numër të madh të votojnë në referendumin për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, në mënyrë që të mos u ndodh Brexit-i, një proces i dëmshëm për të rinjtë britanikë të cilët nuk ishin aktiv në referendumin e tyre”, tha sot në Shkup, Eurokomesari Hahn, i cili me ardhjen e tij në Maqedoni bëri fillimin zyrtar të aktiviteteve përgatitore për procesin e “skriningut”, i cili është hapi i parë para çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian (BE).

Në deklaratën e përbashkët për mediat me kryeministrin e Maqedonisë, pas mbledhjes së qeverisë në të cilën Hahn mori pjesë, ai tha se stadi në të cilin aktualisht ndodhet vendi, është fryt i marrëveshjes me Greqinë të cilën bashkësia ndërkombëtare e përkrah fuqishëm, për të shtuar se topi tani ndodhet tek qytetarët e Maqedonisë për të vendosur mbi fatin e vendit në mënyrë të lirë dhe sovrane, pasi tashmë vendi ka marrë edhe ftesë për anëtarësim në NATO, që mundëson garanci për paqe dhe përparim të vendit.

“Dyert e BE-së tashmë janë të hapura, por varet nga ju nëse do të përqafoni këtë mundësi. Inkurajoj qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën demokratike dhe të marrin pjesë në referendum, sidomos popullatën e re, pasi kemi përvoja të hidhura me zgjedhje dhe referendume ku popullata e re nuk ka marrë pjesë në mënyrë adekuate, ku si pasojë, Mbretëria e Bashkuar mori vendime të cilat nuk janë të favorshme për të rinjtë”, tha Hahn, për të shtuar se të rinjtë duhet kuptuar se çdo votë numërohet dhe ka vlerë.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nga ana e tij informoi se në mbledhjen qeveritare në të cilën mori pjesë edhe Eurokomisari Hahn, është marrë vendim për fillimin e procesit të “skriningut”, që është parapërgatitje për negociatat paraqasëse me BE-në dhe të njëjtat do t’i kryesojë zëvendëskryeministri Bujar Osmani, ndërsa negociator teknik, Bojan Mariçiq.

“Negociatat për anëtarësim në BE janë detyrë historike për institucionet, por edhe për tërë shoqërinë, prandaj dërgojmë porosinë se ky prioritet i lartë do të udhëhiqet nga qeveria, por me pjesëmarrje edhe të Kuvendit, gjyqësorit, opozitës, sektorit civil, komunitetit të biznesit, mediat, sepse kontributi i secilit është i rëndësishëm”, tha Zaev.

Ai tha se nga sot do të fillojë konsultat për thirrje të një takimi liderësh për kapërcimin e dallimeve që ka me opozitën lidhur me organizimin dhe mbajtjen e referendumit, takim ky që sipas të gjitha gjasave do të mbahet të mërkurën në mbrëmje./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi