Hahn: Maqedonia e ka merituar rekomandimin e pakushtëzuar

Komisioneri i Bashkimit Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i dorëzoi kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev në Shkup, raportin e Komisionit Europian (KE) për përparimin e Maqedonisë në rrugëtimin e saj integrues, ku deklaroi se Maqedonia e ka merituar rekomandimin e pakushtëzuar të cilin KE e publikoi të martën.

Sipas eurokomisionerit Hahn, Maqedonia dhe qytetarët e saj kanë merituar një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave, gjë e cila sipas tij, është njohur dhe vlerësuar nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), për të shtuar se ardhja e tij në Shkup, ka të bëjë pikërisht me këtë, për të kremtuar tejkalimin e krizës.

“Maqedonia kaloi një rrugëtim të gjatë përskaj shumë sfidave, dhe tashmë i është rikthyer rrugës evropiane. Ka ndryshime pozitive, një ndjenjë të transparencës, energjisë dhe shpresës”, tha Hahn, sipas të cilit Maqedonia është shembull për ndryshime demokratike në rajon, që vlen të shpërblehet, por se reformat nuk duhet të ndalen, sidomos ato në gjyqësor.

Kryeministri Zaev falënderoi për raportin pozitiv të Komisionit Evropian, ndërsa u zotua për reforma akoma më të fuqishme në dy muajt që vijnë, me qëllim siç tha, vendi të marrë datë për bisedime në qershor, në samitin e ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Qeveria me energji shtesë do të punojë në proceset refomuese në dy muajt e ardhshëm, që vendi në qershor të marrë datë për çelje të negociatave me BE-në. Do të përpilojmë një plan të ri për dinamikën e reformave deri në fund të vitit 2018, i cili do të jetë i lidhur me zbatimin e të arriturave tona”, tha Zaev, për çka falënderoi të gjithë qytetarët, sektorin civil dhe partitë politike për përkrahjen e reformave në periudhën para reformuese.

I pyetur të komentojë nëse Bashkimi Evropian ka një plan B, nëse Maqedonia dhe Greqia nuk arrijnë një zgjidhje për çështjen e emrit, Hahn tha se nevojitet një kompromis, dhe secila patë të heqë dorë nga diçka, dhe të shfrytëzohet momenti pozitiv për tejkalimin e kontestit shumëvjeçar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi