Greqia po përjeton shok nga fatkeqësia e zjarrit

Si pasojë e zjarreve që u përhapën në afërsi të kryeqytetit të Greqisë, Athinë, numri i të vdekurve u rrit në 81. Përveç kushteve të jashtëzakonshme të motit, si arsye për fatkeqësinë në fjalë llogariten edhe problemet infrastrukturore dhe neglizhenca.

Zjarri i cili nisi në një fushë pyjore përreth qytetit bregdetar Rafina në afërsi të Athinës, për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të fuqishme, për një kohë të shkurtër u përhap edhe në rajonet e banuara. Kjo shkaktoi që qindra persona të mbesin të bllokuar nga flakët e zjarrit.

Të paktën 6 persona arritën në det por humbën jetën pasi që nuk u gjetën me orë të tëra. Trupat e tyre të pajetë u gjetën në ujërat e Rafinas.

Instituti i Zjarrfikësve njoftoi se numri i të plagosurve ka shkuar në 187, ku 23 prej tyre janë fëmijë.

Si pasojë e zjarreve më shumë se 1.000 shtëpi janë dëmtuar ndërsa qindra automjete janë në gjendje të papërdorueshme.

Ndërkohë, për shkak të mosgjetjes së një numri të madh të të zhdukurve, ende ka shqetësime se numri i viktimave mund të rritet.

Në rajon, i cili është mbuluar nga hiri dhe nuk mund të realizohet furnizimi me energji elektrike dhe ujë ndërsa vazhdojnë punimet për kërkim dhe shpëtim si dhe largimi i rrënojave.

Zjarri ka përfshirë rajonin për disa minuta

Ata të cilët shpëtuan nga zjarret tregojnë se përderisa mendonin se ndodhen në një distancë të sigurtë, brenda disa minutave kanë mbetur brenda flakëve. Sipas tyre, kjo ka shkaktuar një panikë të madhe në rajon.

Sabi Kisnov i cili jeton në qytezën Mati ku zjarri ka shkaktuar më së shumti të vdekur, tha se për zjarrin së pari janë njoftuar nga televizioni. “Nga larg e pamë tymin. Ishim duke u përgatitur për t’u larguar nga rajoni. Por, për një kohë shumë të shkurtër flakët na rrethuan nga çdo anë”.

Kisnov tha se ka dashur të largohet nga rajoni me automjet, duke e marrë me vete edhe gruan 73 vjeçare, pronare e shtëpisë ku punonte si kujdestar meqë ajo ishte me sëmundjen e kancerit.

“Meqë çdokush kishte dalë në rrugë, ne u bllokuam në rrugët e ngushta. Kur e kuptova se është e pamundur të dalim kështu, e mora atë në krah dhe shkova në breg. Çdo anë ishte e mbuluar me tym. Kur flakët mbërritën deri në breg, ne hymë në det. Gruan e ulëm në një karrige brenda detit”, tregon Kisnov.

Ai thotë se qindra persona ishin në bregun e vogël. “Rreth orës 6 ishin në breg. Kurse kur erdhën të na shpëtojnë ora ishte 11 e mbrëmjes. Më shumë se 5 orë pritëm në det për t’u shpëtuar”, tha KIsnov.

Paniku rriti bilancin

Edhe një banor i rajonit, Filippos Stavrou, shtëpia e të cilit ndodhet në afërsi të bregdetit të Matit është dëmtuar nga zjarri, tha se gruaja dhe djali i tij 17 vjeçar kanë shpëtuar nga zjarri duke hyrë në det.

Duke treguar se për shkak të panikës së përjetuar një numër i madh i automjeteve kanë mbetur të bllokuar në komunikacion, Stavrou tha se “Kur kanë kuptuar se nuk mund të shkojnë me automjete, kanë dalë dhe kanë parë flakët që kanë rrethuar nga çdo anë. Një numër i madh personash të cilët nuk arritën të shkojnë në det që ndodhej vetëm 10 metra në largësi, humbën jetën”.

Papritmas ndryshoi drejtimi i erës së fuqishme

Ndërkaq arsyeja e e vonesës së ndërhyrjes ndaj zjarrit i cili papritmas u përhap me një shpejtësi të madhe dhe të hënën përfshiu rajonin, thuhet se është ajo që një pjesë e madhe e ekipeve zjarrfikëse ishin dërguar në një zjarr pyjor i cili kishte shpërthyer disa orë përpara në anën tjetër të Athinës.

Theksohet se ndryshimi i papritur i drejtimit të erërave, shpejtësia e së cilës ka arritur deri në 80 kilometra, gjë që shihet shumë rrallë gjatë stinës së verës, ka një ndikim të madh në rritjen e fatkeqësisë.

Në rajonin ku ka rrezik të madh të zjarrit, nuk ka plan për evakuim

Në anën tjetër, përveç zyrtarëve as banorët e rajonit nuk kanë llogaritur se zjarri mund të përhapet me një shpejtësi kaq të madhe dhe pothuajse mund të rrethojë rajonin.

Ndërkaq mosprania e ndonjë plani për evakuim në rajon, ku rrugët janë mjaft të ngushta dhe janë formuar vendbanimet në fushë me pisha ku ka rrezik të madh për zjarre, është një nga kritikat kryesore për çmimin e madh të paguar nga zjarri.

Qeveria dyshon për zjarrvënie të qëllimshme

Zyrtarët e qeverisë së Greqisë në deklaratat e dhëna thonë se zjarret e përhapura njëkohësisht në 3 vende të rajonit janë raste të dyshuara.

Kryeministri grek Alexis Tsipras zjarrin e përhapur me shpejtësi e ka cilësuar si “një fenomen asimetrik”.

Duke folur për mundësinë e zjarrvënies së qëllimshme, Tsipras tha se “Zjarret e përhapura njëkohësisht në 3 vende po na shqetësojnë”.

Ndërkaq zëdhënësi i qeverisë Dimitrios Giannakopoulos tha se për 24 orë 15 pika të ndryshme përreth Athinës ishin përfshirë nga zjarri.

Kriza ekonomike dhe ndërprerjet në buxhet

Si një arsye tjetër e fatkeqësisë shihet të jetë edhe mungesa e organizimit në mes të institucioneve si dhe mangësitë në burimet tenike dhe njerëzore të institucionit të zjarrfikësit për shkak të ndërprerjeve të buxhetit në shtetin i cili po lufton me krizën ekonomike.

Në shtet u shpall 3 ditë zie për shkak të zjarrit, ndërkaq kanë filluar hetimet për fatkeqësinë që ndodhi./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi