Gottemoeller: NATO mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Zv/sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, deklaroi sot në Tiranë se NATO mbështet dialogun Kosovë-Serbi, sepse sipas saj është e vetmja mënyrë për të sjellë stabilitet dhe paqe të përhershme në rajon.

Gottemoeller po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa pas takimit me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në angazhimin e Shqipërisë në Aleancë, situatën e sigurisë në rajon, dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera.

Zv/sekretarja e Përgjithshme e NATO-s tha se kanë rritur angazhimin praktik në Ballkanin Perëndimor.

“NATO është e angazhuar në këtë rajon të rëndësishëm dhe njohuria dhe kuptimi i Shqipërisë i dinamikave këtu në rajon ka qenë shumë në ndihmë për të çuar më përpara punën e NATO-s. Ne mbështetemi te Shqipëria që të vazhdojë të përdorë influencën e saj në këtë proces dhe inkurajojmë Beogradin dhe Prishtinën të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje”, tha Gottemoeller.

Ajo theksoi se NATO mbështet plotësisht dialogun e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian (BE) midis Prishtinës dhe Beogradit, sepse sipas saj është e vetmja mënyrë për të sjellë stabilitet dhe paqe të përhershme në rajon.

“Sot ne diskutuam për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe planin për ta transformuar atë në ushtri. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi në bashkëbisedimin e fundit me Haradinajn që e konsideron këtë veprimtari në një kohë jo të përshtatshme dhe mund të ketë pasoja për integrimin euroatlantik të Kosovës. Stoltenberg foli gjithashtu edhe me presidentin serb, Vuçiç, për nevojën për mos të përshkallëzuar tensionet aktuale dhe për të punuar drejt paqes dhe stabilitetit në rajon”, theksoi Gottemoeller.

Ministri Bushati theksoi se me drejtuesit e NATO-s, vendet anëtare, përfshirë Shqipërinë, kanë një bashkëpunim mjaft të mirë, jo vetëm në takimet në nivelin e ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes apo udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s, por edhe për çështje të caktuara.

“Kemi pasur mundësi për të diskutuar për angazhime e Shqipërisë në organizatë, kryesisht sa i përket projeksionit pozitiv që ka Shqipëria për shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në misionet dhe operacionet që drejtohen nga NATO. Dihet që për Shqipërinë dhe shqiptarët anëtarësimi në NATO është konsideruar një nga arritjet më të mëdha për ne, pas shembjes së regjimit komunist dhe e vlerësojmë këtë arritje edhe duke zbatuar angazhimet në praktikë dhe nga ana tjetër duke u përpjekur për të projektuar më shumë stabilitet demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore”, tha kryediplomati i Shqipërisë.

Ai tha se në këtë kontekst e mirëpresin bashkëpunim me NATO-n edhe për çështjet që konsiderohen të një natyre më sensitive dhe shtoi se kanë diskutuar për të gjitha sfidat me të cilat përballet rajoni.

“E fundit që dua të them në këtë pikë është vlerësimi maksimal për rolin e KFOR-it në Kosovë, sepse është spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë dhe në këtë kontekst kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej në mënyrë që rrezja e stabilitetit demokratik të NATO-s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë e pacenuar”, tha Bushati.

Zv/sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, si me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi