Gjyqësori kosovar në kaos: 342 mijë lëndë të pazgjidhura

Gjyqësori kosovar vazhdon të mbetet shumë mbrapa sa i përket lëndëve të proceduara. Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, aktualisht në gjykatat e vendit presin për t’u trajtuar mbi 342 mijë lëndë, që sipas parashikimeve, këto lëndë të deponuara nuk mund të zgjidhen edhe disa vjet nëse nuk shtohet numri i gjyqtarëve.

Sipas KGJK-së, nga viti 2018 do të fillojnë punën 52 gjyqtarë të rinj dhe kjo do të ndikojë në rënien e numrit të lëndëve të pazgjidhura.

Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj, tregoi për Radio Kosovën se sa është numri i lëndëve që presin zgjidhje, dhe sa të tilla janë trajtuar në nëntëmujorin e parë të këtij viti. “Në fund të shtatorit 2017, kanë mbetur 342 mijë e 590 lëndë të pazgjidhura. Ndërsa gjatë periudhës raportuese gjykatat kanë zgjidhur 231 mijë e 224 lëndë”, tha Qorraj, transmeton RTK.

Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës tregon arsyen kryesore që sipas KGJK-së kanë bërë që këto lëndë kanë mbetur të patrajtuara nga viti në vit.

“Problemi kryesor që ka përcjellë sistemin gjyqësor që nga paslufta është numri i vogël i gjyqtarëve. Por, sidoqoftë vetëm Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit kanë numër të madh të lëndëve. Ndërsa, gjykatat e tjera kanë një efikasitet të dukshëm në raport me lëndët e pazgjidhura”, tha Qorraj.

Por, për Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë kjo që monitoron sistemin e drejtësisë, përveç numrit të vogël të gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, është rezultat edhe i performancës jo të mirë të gjyqtarëve.

Miftaraj thotë se numri i madh i lëndëve të pazgjidhura po zbeh imazhin e gjykatave.

“Problemi kryesor padyshim që mbetet ende numri i vogël i gjykatësve në departamente të caktuara. Kjo padyshim që ndikon në rritjen e numrit të lëndëve. Po ashtu, mungesa e vlerësimit të performancës së gjyqtarëve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka ndikuar që gjyqtarët të mos e kenë performancën e duhur në kryerjen e obligimeve dhe përgjegjësive të tyre në punë”, tha Miftaraj.

Aktualisht në të gjitha gjykatat e vendit punojnë 410 gjykatës dhe nëse i ndajmë lëndët e pazgjidhura për ta, atëherë i bie secilit të trajtojë nga 835 lëndë, në mënyrë që të zgjidhen ato./Albinfo.ch/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi