Gjykatat joefikase përballë korrupsionit

Lufta kundër korrupsionit edhe gjatë vitit 2017, ka qenë vazhdimisht pjesë e deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetëror, por rezultatet konkrete kundër kësaj dukurie kanë munguar.

Autoritetet kompetente thotë se kanë ndërmarr veprime në këtë drejtim, por rezultate kanë qenë minimale në luftimin e kësaj dukurie.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha se përpjekjet për luftimin e dukurisë së korrupsionit nuk kanë munguar, por nuk janë arritur rezultatet e duhura as gjatë vitit 2017.

“Institucionet e zbatimit të ligjit, Prokuroria, Policia dhe agjencia po bëjnë kallëzime penale dhe po dërgojë në prokurori. Prokuroria po ngrit aktakuza, gjykata po i hedh poshtë. Në një farë forme, ka pasur akuza ose hedhje të topit të njëri-tjetri, megjithatë ka pasur pengesa gjatë zbatimit të ligjit dhe mendoj se duhet të adresohet çështja përgjegjësisë se ku është duke çaluar ky problem, me qellim që të ketë progres”, tha Havolli.

Autoritetet në Kosovë thonë se brenda vitit 2017 nga 381 kallëzime penale të pranuara nga janari deri në shtator 2017, kanë proceduar (zgjidhur) 321 kallëzime penale apo 84.25%, ndërsa nga 630 persona në kallëzimet penale të pranuara, janë proceduar 681 raste.

Institucionet e vendit, gjatë gjithë vitit thanë se kanë vënë në prioritet çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se askush nuk është imun dhe as mbi ligjin, por ekspertët e fushës kanë deklaruar se problemet qëndrojnë, sipas tyre, “pikërisht në faktin e vullnetit të paktë për luftimin e kësaj dukurie”.

Në fjalimin e tij vjetor në Kuvendin e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, tha se “lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit janë dhe duhet të mbeten prioritete. Kosova nuk do të dorëzohet në përballje me këto sfida dhe nuk do të lejojmë që vendi ynë të perceptohet si i korruptuar. Heronjtë e sotëm janë ata që rreshtohen në luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Institucionet ndërkombëtare, thonë se Kosova ka shkallën e lartë të korrupsionit dhe një kulturë të pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në aferat korruptive.

Kurse, organizatat vendore thonë se korrupsioni i nivelit të lartë në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë dhe fenomen që po shkatërron demokracinë dhe po pengon zhvillimin ekonomik në vend.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se profili i rasteve të korrupsionit që ndiqen në Kosovë, është profil i ulët dhe rrallë herë i profilit të lartë.

“Bazuar në monitorimin sistematik të Institutit të Kosovës për Drejtësi, rezulton se ende asnjë zyrtar i profilit të lartë nuk është i dënuar me burgim efektiv për vepra penale të korrupsionit. Duke qenë se nuk ka ndjekje të profitit të lartë, dhe ndikimet politike në emërimin e pozitave të larta janë vazhdimisht prezent, atëherë kjo luftë nuk mund të zhvillohet pa pasur njerëz me integritet”, tha Musliu.

Edhe Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, në një konferencë të Këshillit Prokurorial në fund të vitit 2017, ka kritikuar prokuroritë për mosefikasitet në punë, sa u takon lëndëve të korrupsionit.

“Në secilën Prokurori ka ngecje. Në Prokurorin Themelore të Prishtinës janë kryer vetëm 15 lëndë më pak se që janë pranuar. Asnjë Prokurori nuk mund të dallohet sa i takon kësaj periudhe raportuese. Lufta kundër korrupsionit ekskluzivisht duhet të hetohet edhe të ndiqen veprat penale të korrupsionit të nivelit të lartë, por nuk duhet të lihen anash edhe veprat penale të korrupsionit të mesëm dhe të imët”, ka deklaruar Lumezi.

Lufta kundër korrupsionit dhe rezultatet më konkrete janë bërë pjesë të kritereve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Luftimi i korrupsionit, për Qeverinë e Kosovës nuk qëndron më një nga kushtet e papërmbushura në procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas Qeverisë, institucionet kanë shënuar përparime dhe rezultate konkrete në këtë drejtim.

Përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti sistemit të drejtësisë në vend, që të fuqizojnë luftën kundër korrupsionit./Telegrafi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi