Gjoba automatike. Do të penalizohen bizneset që bëjnë deklarata të pasakta

Bizneset që bëjnë deklarim të pasaktë në zyrat e taksave do të penalizohen automatikisht.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi se çdo sipërmarrës që dorëzon deklaratë të pasaktë do të gjobitet me një gjobë sa 0.06% e detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer.

Administrata tatimore këshillon bizneset që të bëjnë kujdes me plotësimin e deklaratave në mënyrë që të mos penalizohen. Sipas Tatimeve, çdo deklaratë tatimore e cila nuk është e plotësuar me të dhënat reale financiare të subjektit apo që ka gabime aritmetike do të konsiderohet automatikisht e pasaktë.

Madje, nëse provohet se këto pasaktësi janë bërë me qëllim nga biznesi, atëherë ky do të konsiderohet evazion fiskal dhe pasohet nga gjoba më të rënda deri në ndjekje penale.

Të gjitha këto masa ndëshkimore janë parashikuar në ligjin për procedurat tatimore. Ndërkohë, tatimet i bëjnë thirrje bizneseve që të mbajnë në mënyrë korrekte dokumentacionin tatimor që kërkohet nga ligji, përfshirë regjistrat, librat e shitjes dhe ato të blerjes, pasi në të kundërtën do të ndëshkohen me gjobë.

Vitin e kaluar qeveria uli pragun e xhiros për bizneset që paguajnë TVSH duke përfshirë të gjitha ndërmarrjet e vogla me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit. Kjo masë detyron mbi 11 mijë biznese të vogla që në çdo tre muaj të dorëzojnë tek Tatimet deklaratën e TVSH-së si dhe të mbajnë librat e blerjeve dhe shitjeve.

Shumë nga këto biznese kanë vështirësi në plotësimin e saktë të deklaratave tatimore edhe për mungesë kapacitetesh.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi