Gjiknuri inspekton punimet për ujësjellës-kanalizimet në Gjirin e Lalzit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, shoqëruar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve Arben Skënderi inspektuan kantierin e punimeve për ujësjellës/ kanalizimet në Gjirin e Lalzit dhe fshatrat përreth.

Në këtë zonë po zbatohen dy projekte investimi që së bashku arrijnë në vlerën e rreth 13 milion eurove, ndërsa përfitojnë 30 mijë banorë. Projekti i parë ka të bëjë me ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza dhe Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Përdorura në zonën turistike. Në këtë investim do ndërtohen kolektori kryesor i kanalizimeve; kolektori me ngritje mekanike; 4 stacione pompimi ashtu sikurse impianti me një kapacitet përpunimi 15000 banorë.

Projekti i dytë ka të bëjë me ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit. Uji do të merret në tubacionin e ujësjellësit që vjen nga Fushe Kuqja me sasi 150 litër/sek. Në këtë investim do ndërtohet linja kryesore e tubacionit; depoja e re e ujit me kapacitet 1500 m3; linja kryesore e shpërndarjes nga depo tek zona e Gjirit të Lalzit.

“Me përfundimin e këtij impianti i cili do të vihet në funksionim në vitin 2019, e gjithë kjo zonë nuk do të ketë më probleme me trajtimin e ujërave te zeza. Do kemi një zgjidhje me një teknologji të fundit, projekti i bërë është ndër me bashkëkohorët. Realisht i jep një zgjidhje përfundimtare gjithë kësaj zone dhe i shërben gati 30 mijë banorëve të cilët do të lidhen me këtë rrjet. Vepra po shkon shumë mirë, unë pata një bisedë edhe me kontraktorët, gjithçka po shkon sipas planit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Më tej, ai u ndal tek reforma në sektorin e ujit të pijshëm dhe nevoja për rritjen e performancës së ndërmarrjeve të ujësjellës/kanalizimeve në të gjithë vendin.

“Qeveria shqiptare, në vazhdën edhe të aksionit që ka nisur për një mirë-administrim të sistemit të ujit që është i lidhur me kanalizimet, pikërisht këtë ka qëllim, rritjen e performancës ekonomike. Rritja e arkëtimeve, shëndoshja financiare e gjithë sektorit, në mënyrë që të kemi investime aq të nevojshme duke filluar nga zona që kanë potencial më të madh ekonomik siç janë zonat me përparësi turizmi”, nënvizoi Gjiknuri./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi