BOTA

Gjermania pret ditën jeshile nga BE-ja për t’u bërë pjesë e negociatave Kosovë-Serbi

Spread the love

I emëruari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjatë vizitës së tij në Kosovë, të mërkurën, la të kuptohet se SHBA kërkon arritjen e një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

Dialogu Kosovë-Serbi po përcillet më interesim të madh nga gjithë vendet e BE-së, dhe më gjerë, andaj ishte Gjermania ajo që deklaroi se do të ketë një të dërguar special për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit shekullor mes Kosovës dhe Serbisë.

Ani pse SHBA e mori si çështje urgjente që njeriu i saj të jetë pjesë e dialogu që ka stagnuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Kosova vendosi taksë 100% ndaj produkteve të Serbisë, Gjermania nuk e ka parë si çështje urgjente. Tani thotë se këtë punë ia ka lënë në dorë BE-së.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në qeverinë gjermane, për të pyetur se kur zyrtarisht Gjermania do ta emëroi të dërguarin e saj për dialog, por lidhur me këtë nuk janë përgjigjur konkretisht.

Sa i përket dialogut, Gjermania, qëndron në dispozitat e saja se duhet të filloj sa më shpejt dhe marrëveshja të përfundojë për të pasur stabilitet në rajon.

“Normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve bilaterale në mes të Kosovës dhe Serbisë është thelbësore që të dy vendet të përparojnë në rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian. Kjo është gjithashtu me një rëndësi të konsiderueshme për stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Kosova dhe Serbia duhet të ri-angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe politikisht të qëndrueshme”, thuhet në përgjigjen e qeverisë gjermane për lajmi.net.

Nuk është lënë anash as thirrja për qeverinë e ardhshme të Kosovës që të largojë sa më shpejt taksën edhe të fillojë dialog.

“Shpresojmë që dialogu mund të rifillohet me shpejtësi pas formimit të qeverisë në Kosovë. Në atë kontekst, do të jetë e rëndësishme që Kosova të pezullojë tarifat ndëshkuese ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, të cilat shkelin marrëveshjen e CEFTA-s”, thotë një zyrtar për media nga zyra e jashtme gjermane.

Gjermania i ka lënë në dorë përfaqësuesit të BE-së se si ai dëshiron të udhëheqë negociatat mes Kosovës dhe Serbisë saqë nuk e ka parë të arsyeshme të ngutet për të emëruar person të caktuar për negociata.

“I takon Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri të vendosë se si ai dëshiron të udhëheqë negociatat”, thuhet në përgjigje.

Kujtojmë, se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Kosova i vendosi taksë 100 % për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Taksa u vendos në shenje revolte që këto shtete e mohojnë pavarësinë e Kosovës.

Related posts

Erdogan dhe Putin shkëmbejnë qëndrimet për sulmet në Siri

dritatv

May: Marrëveshja e Brexit-it do të lejojë lidhjet tregtare me çdo vend

dritatv

Udhëtimi i rrezikshëm në qytetin Rakka të rrënuar nga SHBA dhe YPG/PKK

dritatv

Leave a Comment