Gjermania: Çështja e Katalonjës të zgjidhet në kuadër të kushtetutës së Spanjës


Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert thotë se zgjidhja e çështjes së Katalonjës duhet të gjendet në kuadër të të drejtës dhe kushtetutës së Spanjës.

Seibert në një deklaratë në Berlin tha se procesi në lidhje me ndalimin e ish-presidentit të Qeverisë Autonome të Katalonjës Carles Puigdemont në Gjermani po zhvillohet në kuadër të ligjeve gjermane dhe rregulloreve të urdhër-arrestit evropian.

Seibert thotë se kjo çështje është në dorën e institucioneve të provincës Schleswig-Holstein dhe të gjykatave përkatëse dhe se duhet të priten vendimet.

Ai tha se Spanja është shtet demokratik dhe ligjor. “Qeveria gjermane mbetet në bindjen e saj se zgjidhja e çështjes së Katalonjës duhet të gjendet në kuadër të të drejtës dhe kushtetutës së Spanjës”, tha Seibert.

Sipas tij, Gjermania mbështet qëndrimin e qeverisë spanjolle për mbrojtjen e rendit kushtetues.

Do të dalë para gjykatës

Ish-presidenti i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, ndaj të cilit Spanja ka lëshuar urdhër-arrest evropian, është ndaluar dje në Gjermani. Ai pritet që sot të dalë para gjykatës.

Pritet që gjykata lokale në Neumünster të marrë vendimin lidhur me atë nëse do të mbahet Puigdemont në ndalim apo jo.

Gjykata do të shqyrtojë kërkesën e Spanjës për ekstradim ndërsa Gjykata e Lartë Shtetërore Schleswig-Holstein do të vendosë lidhur me ekstradimin apo jo të Puigdemont-it.

Sipas Agjencisë gjermane të lajmeve (DPA), vendimi që do të merret në lidhje me Puigdemont-in, mund të mbetet për javën e ardhshme për shkak të Festës së Pashkëve. Autoritetet dhe gjykatat gjermane kanë afat 60 ditor për të vendosur në lidhje me çështjen.

Puigdemont dje u ndalua në autostradën A7, e cila lidh Danimarkën dhe Gjermaninë dhe ishte vendosur në Burgun Neumünster. Gjykata e Lartë e Spanjës të premten lëshoi urdhër arresti në nivel evropian ndaj Puidgemont-it dhe katër anëtarëve të kabinetit dhe ndaj Marta Rovira, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Majtë Republikane të Katalonjës (ERC) e cila kishte ikur në Zvicër.

Politikanët separatistë katalonjas, në mesin e të cilëve është edhe Puigdemont, akuzohen për “rebelim kundër shtetit” për shkak të rolit të tyre në referendumin e paligjshëm dhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalonjës./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi