Gjenialiteti i Da Vincit, për shkak të strabizmit të tij

Një problem në njërin sy e ka ndihmuar Leonardo da Vincin të pikturojë distanca dhe thellësi të objekteve në sipërfaqe të sheshta, me mjeshtërinë që e bëri atë të famshëm.

Da Vinci, një nga piktorët më të njohur në botë, vuante nga “exotropia” e ndërmjetme, një lloj keqvendosjeje, në të cilën këndi i vështrimit të njërit sy është më i jashtëm.

Sipas një studimi të fundit, një skulpturë bronzi, që thuhet se është një përshkrim i Leonardo da Vincit të ri, tregon keqvendosjen e syve.

“Po të shikosh punën e tij, divergjenca në sy dallohet në të gjitha pikturat”, shpjegon autori i studimit, Christopher Tyler, kërkues në Universitetin e Londrës.

Duke analizuar drejtimin e vështrimit në 6 autoportrete të Da Vincit; dy skulptura, dy piktura në vaj dhe dy vizatime; Tyler zbuloi se disa nga punimet tregonin shenja “exotropie”, me sytë që shihnin në një kënd të jashtëm.

Jo të gjitha punimet ishin autoportrete, por Da Vinci specifikonte në shënimet e tij se çdo portret i pikturuar prej tij reflektonte pamjen e vet piktorit.

“Exotropia” është një lloj strabizmi, që prek rreth 1 për qind të popullatës së botës. “Exotropia” e Da Vincit e lejonte atë të shikonte botën nga një këndvështrim tjetër. Ajo që shihte ai, dukej më shumë si një kanavacë e sheshtë, sesa si një ekran tripërmasor, siç mund ta shohim ne të tjerët, e kjo – sipas Tyler, – e bënte më të lehtë për të, të përkthente imazhet në kanavacë.

Kjo gjendje, në kontrast me shikimin e tij normal në syrin tjetër, e ndihmonte në zhvillimin e një kuptimi më të thellë të objekteve tripërmasore, e kjo ka bërë që pjesa më e madhe e veprave të Da Vincit të kenë dritëhijet e sakta, për të cilat ai është i famshëm.

Teknika të ngjashme janë përdorur për të provuar edhe se piktorë të tjerë të mëdhenj, si Rembrandt, Edgar Degas dhe Pablo Picasso, po ashtu kishin lloje të ndryshme problemesh në sy./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi