“Gigi Day” në Torino! Buffon i përlotur përlot stadiumin

Në “Allianz Stadium” festa kishte nisur para se në fushë të zbriste skuadra, por në stadiumin e mbushur plot e përplot, të paktë ishin ata që kishin mbërritur për të ndjekur ndeshjen, e aq më pak rezultatin final të saj.

Në Torino e shtuna e 19 majit 2018 do të mbahet mend si “Gigi Day”, dita kur Gianluigi Buffon u tha lamtumirën bardhezinjëve pas 17 sezonesh të mbushur me trofe.

Për t’ja lehtësuar disi barrën e lamtumirës së dhimbshme, Max Allegri vendosi që të zëvendësojë në minutën e 63-të. Me kokën ulur për të mos treguar sytë e përlotur dhe me duart lartë duke falenderuar tifozët, Gigi iu drejtua stolit.

Ovacionet e tifozerisë e bllokuan dhe në fund nuk e mbajti dot më. 40-vjeçari shpërtheu në lot dhe u ul në stolin, hera e fundit që e bën për Juventusin si lojtar, pasi të ardhmes nuk i dihet dhe fati mund të kthejë në këtë stol, por me një rol tjetër.

Hapësira e stolit ishte shumë e vogël për të mbajtur gjithë keqardhjen e largimit dhe Gigi iu drejtua dhomave të zhveshjes, duke u premtuar tifozëve se do të rikthehej prap.

U rikthye në fushë më i qetë, por nisi sërish i përlotur të përshëndesë të gjithë tifozët. E ashtu i përlotur, mes duartrokitjeve, brohoritjeve dhe i shoqëruar nga një shi i lehtë, Buffon vendosi të ngjisë shkallët e stadiumit, aty nga ku do ta shohë nga tani e tutje Juventusin e tij.

Buffon debutoi me fanelën e Juventusit në vitin 2001, i blerë nga Parma për 35 milionë euro, një shifër rekord për një portier. Këtë rekord do ta mbante deri në qershorin e vitit 2017, kur Manchester City shpenzon rreth 38 milionë euro për portierin brazilian, Ederson.

Në palmaresin e tij numëron një Kupë Bote, nëntë tituj kampion i Italisë, pesë Kupa të Italisë dhe gjashtë Superkupa të Italisë.

Pengu më i madh për të mbetet Champions League, një trofe të cilit i shkoi 3 herë pranë, por humbi në të trija finalet, përkatësisht ndaj Milanit me penallti në 2003, ndaj Barcelonës në 2015 dhe vitin e kaluar ndaj Realit të Madridit.

Në këtë kompeticion karrierën e mbyll jo ashtu siç do dëshironte. Ndaj tij, UEFA ka nisur një hetim në lidhje me sjelljet dhe reagimet e bëra në fund të ndeshjes ndaj gjyqtarit Oliver, pasi ky i fundit dha një 11-metërsh për Realin në minutën e 94 të takimit.

Në këtë minutë sfida ishte 0-3 për bardhezinjtë, që e dërgonte ndeshjen në shtesë, falë fitores po 0-3 të Realit në Torino. Por, penalltia e shndërruar në gol më minutën e fundit eleminoi torinezët./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi