Gazetaria shqiptare: emra dhe fenomene, pse ka ardhur koha për vetting

Në kulmin e pushtetit të tij, Silvio Berlusconi, emëroi një gazetar përkrahës së tij, si drejtor i lajmeve të televizionit më të fuqishëm publik të Italisë, RAI-Uno.

Augusto Minzolini, quhej gazetari që vinte nga një karrierë të ngritur prej vitesh në disa prej mediave italiane.

Por gjatë drejtimit të edicionit të lajmeve publike, Minzolini lëshoi balancën duke u kthyer TG1, jo thjesht një make up për kryeministrin por edhe sulmues i kritikëve të tij.

Mediat italianë, gazetarë të ndryshëm dhe analistë nisën një fushatë mediatike ku publikuan fakte mbi favore personale që drejtori i Telegiornale Uno kishte marrë nga shefi i tij në këmbim të shërbimit.

Nuk zgjati shumë dhe periudha e tij përfundoi, duke ndryshuar totalisht drejtimin dhe strukturën e televizionit publik.

Në atë kohë, gazetaria italiane injektoi në publik idenë e një zyrtari por edhe personi publik “të thjeshtë” dhe jo kapardisur me para korrupsioni. Kjo solli lindjen e lëvizjes popullore të 5 Yjeve që fitoi zgjedhjet së fundmi me konceptin e ndryshimit total të kastës drejtuese.

Tek ne prej dy vjetësh ka hyrë si koncept, dhe tani edhe si fakt vettingu, pra skanimi dhe rivlerësimi i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Tashmë ky vetting pritet shtrihet edhe në polici e administratë, duke sjellë natyrshëm edhe vettingun e politikës dhe kastës drejtuese.

Pikërisht në këtë frymë që është kthyer në modus operanti, duket se ka ardhur koha edhe për një vetting për gazetarinë dhe median shqiptare.

Kohët e fundit gjithnjë e më shpesh ka polemika dhe akuza personale mes njerëzve publikë, analistëve kryesisht dhe gazetarëve që i kujtojnë njëri- tjetrit të kaluarën, trashëgiminë familjare dhe lidhjet me politikën.

Një vit më parë, një gazetar i njohur i hyrë në politikë, u telendis në publik pasi u mor vesh se kishte një pasuri në letra prej 1 milionë dollarësh amerikanë.

Enver Robelli, shkruante para disa vitesh se nuk mund të japin moral publik gazetarë me “Porche Cayenne” që nuk mund ta blejë kurrë asnjë koleg i tyre perëndimor.

Gazetaria, përveç se një profesion është edhe një rol publik, ku një individ përpiqet t’u përcjellë njerëzve fakte, argumente apo edhe opinione mbi zhvillimet në vend. Pse jo, t’u shesë dhe moral.

Dhe duke qenë se roli i gazetarit është ndërmjet publikut dhe kastës, pra ka rolin e dëshmitarit, është e domosdoshme që njerëzit të dinë mirë kush janë “dëshmitarët”.

Dhe kasta politike dhe ajo e biznesit i njeh mirë gazetarët, kryesisht ata të “dorës së parë”: ç’halle kanë, sa shtëpi kanë, sa paguhen, a kanë borxhe, luajnë kumar, janë divorcuar, kanë shtëpi në plazh, ku i bëjnë pushimet etj etj.

Mirë do të ishte që këtë njohje ta ketë edhe publiku. Natyrisht nuk bëhet fjalë vetëm për pasurinë por edhe për formimin e tyre, figurën morale, apo edhe trashëgiminë familjare.

A janë të formuar analistët që shkojnë në panele si historianë, por që libër historie s’kanë lexuar në jetën e tyre? A kanë një jetëshkrim profesional në karrierën e tyre që mund të justifikojë atë “menddhënie” në studio publike televizive?Si e kanë bërë pasurinë e tyre? A janë shitur e janë blerë?

Edi Rama e quan median “kazan”, dhe fatkeqësisht shumëkush e merr si të mirëqenë. Dhe të gjithë gazetarët futen në kazanin ku natyrisht nuk i ka futur kryeministri.

“Kazani” tashmë është i vjetër i e i thellë, që rri prej vitesh aty në oxhakun e mexhlisit shqiptar, por disa pak “ujqër” kanë hyrë brenda, pasi “kecat” e politikës u kanë kërkuar që të hyjnë nga oxhaku.

Ka disa shembuj që për vite e vite përfliten në publik që qësendisen, sulmohen e diskutohen, por duket ka ardhur koha të adresohen.

Është përmendur shpesh fenomeni “Fari Balli”, kur nga një gazetar i “Zërit të Popullit”, një eksponent tipik i agjitpropit komunist, u konvertua pas viteve ’90-të si një model të analistit që moralizon shoqërinë e re demokratike, duke ofruar një model të cungët, për të thënë të shformuar.

Në vend që ky fenomen të zbehej në vite është forcuar gjithnjë e më shumë, duke u forcuar si faktor, si katalizator i zhvillimeve mediatike, por edhe politike në vend. Sot ky fenomen ka fituar të drejtë qytetarie, por edhe trashëgimie në politikë.

Për ironi, PD që vitet e fundit ka themeluar dhe një kredo dekomunistizimi, e ka Fahri Balliun zërin e saj më të fuqishëm mediatik.

Por nuk është i vetmi. Së fundi, në këtë llogore është përfshirë dhe një produkt fizik e psikologjik i trashëgimisë së errët të sigurimit të shtetit, Dritan Hila – jo krejt për faj të tij – por që merr tagrin për të sajuar emisione – debat me titullin me idiot të mundshëm: “Shqipëria mes xhihadit dhe Europës, nga do të shkojë?”.

Më pas vijnë dhe ustallarët e lekut me listë çmimesh për t’i thurrur elozhe filanit apo goditur fistekun, për shkak të të qënit zog nate në sallat e erëta të lojrave të fatit.

Me ç’të drejtë, me ç’moral, apo me ç’farë arsyeje ky fenomen mund të bëhet model që po prish median dhe opinionin publik?

Ka vende, si p.sh Italia, që kanë krijuar disa rregulla për të qenë pjesë e ambjentit mediatik, siç është “Urdhëri i Gazetarëve”.

Por shumë e cilësojnë këtë mekanizëm si shkelës të së lirisë së shprehjes. Në vende të tjera nuk ka filtra të tilla, por me anë të mekanizmave vetërregulluese, janë ngritur barriera që nuk lejojnë ndotjen e mjedisit mediatik në masë të gjerë.

Në vitin 2010, në një tryezë e OSBE-në ku ishte prezent vetë përfaqësuesja e lartë e medias, Dunja Mijatoviç, Aleksandër Çipa kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë kërkoi që në skemën e vetëdeklarimit të pasurive të futet edhe editori shqiptar, pra ata krerë mediash që kanë të drejtë vendimmarrjeje.

Qëndrimi u duartrokit nga Mijatoviç, por nga autoritetet shqiptare u kalua në heshtje.

U duk si “minë me sahat”, por që ka ardhur koha të ç’aktivizionet…/tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi