Gabriel inkurajon dialog më të afërt me Turqinë

Dallimet politike nuk duhet të pengojnë Gjermaninë dhe Turqinë nga dialogu dhe bashkëpunimi më i ngushtë, tha të shtunën ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel.

Duke folur në një panel në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Gabriel nënvizoi rëndësinë e Turqisë për vendin e tij dhe mbrojti përpjekjet e tij për normalizimin e lidhjeve midis Berlinit dhe Ankarasë.

“Turqia është një shtet i madh dhe i rëndësishëm. Ata kanë ndikim të madh në politikën ndërkombëtare”, tha ai.

Gabriel tha se lirimi i gazetarit gjermano-turk Deniz Yucel pas një periudhe të gjatë burgimi në Turqi, ka hequr “një pengesë të madhe” në zhvillimin e bashkëpunimit më të ngushtë midis dy vendeve.

Korrespondenti i të përditshmes gjermane “Die Welt”, Yucel, i cili u arrestua vitin e kaluar me dyshimin për përhapje të propagandës terroriste, u lirua nga paraburgimi të premten për t’u mbrojtur në liri.

Pavarësisht thirrjeve nga politikanët gjermanë për lirimin e Yucel, qeveria turke hodhi poshtë çdo ndikim politik mbi gjyqësorin dhe i këshilloi ata të prisnin vendimin e gjykatave të saj.

“Ndoshta nuk do të ishim në gjendje të arrinim menjëherë një mirëkuptim të përbashkët. Por, unë nuk e di se si mund të bëjmë progres pa bisedime”, tha ai.

Ministri i Jashtëm gjerman hodhi poshtë thirrjet nga politikanët e opozitës, të cilët kanë kërkuar pezullimin e dialogut dhe bashkëpunimit me Turqinë, për shkak të tensioneve të fundit midis Berlinit dhe Ankarasë./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi