Fushata tremujore e pastrimit në Kosovë fillon më 15 shtator

 

 Fushata më e madhe e pastrimit deri më tani në Kosovë, do të fillojë më 15 shtator dhe do të zgjasë tre muaj, u tha pas takimit të parë të Grupit punues (Task Forcë) për pastrimin e mjedisit jetësor në Kosovë, me të cilin udhëheq Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa formuar me nismë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Fatmir Matoshi, ushtrues detyre i ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor pas takimit deklaroi se Grupi punues javën e ardhshme do të ketë planin e plotë të punës.

“Gjendja e mjedisit jetësor në vendin tonë është alarmante, e paqëndrueshme dhe nuk do të tolerojmë më tej që fëmijët tanë dhe qytetarët tjerë të jetojnë në një rrethim të tillë. Të gjithë së bashku këtë do ta ndryshojmë”, tha Matoshi.

Ai theksoi se aksioni tremujor i pastrimit do të përcillet me masa shtesë, siç është udhëzimi administrativ i cili parasheh gjoba për të gjithë ata që hedhin mbeturinat në vendet ku nuk lejohet, ndërsa do të përfundojë edhe Strategjia Nacionale për Menaxhim me Mbeturinat. Po ashtu, në këtë periudhë do të aktivizohet njësia e policisë së gjelbër.

Donjeta Gashi, nga kabineti i kryeministrit të Kosovës theksoi se plani i pastrimit të Kosovës do të jetë i përhershëm dhe se masat do të vazhdojnë edhe pas këtij aksioni.

“Ky është një aksion i posaçëm për shkak se nuk janë përfshirë vetëm institucionet, por edhe organizatat joqeveritare, vullnetarë dhe të gjitha palët e organizatës që ka kontribuar për Kosovën me projekte të caktuara për pastrimin e Kosovës. Bëhet fjalë për një plan gjithëpërfshirës për të përmirësuar ambientin e Kosovës”, tha Gashi.

Buxheti për fushatën e pastrimit të Kosovës do të kushtojë 600 deri në 700 mijë euro, ndërsa në kuadër të këtij buxheti parashihet edhe punësimi i rreth 1000 punonjësve sezonalë që do të punojnë gjatë fushatës tre mujore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi