Furrat e gëlqeres vijojnë punën, Klosi në “Top Talk” kërkon ndihmën e qytetarëve

Ndotja në mjedis ka qenë tema e zgjedhur nga Gazetari Denis Dyrnjaja në “Top Talk”, ku i ftuar ishte Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi problematikat e ambientit.

“Top Talk” ka nisur me një kronikë të transmetuar në Top Channel dy ditë më parë, ku denoncohet ndotja masive e mjedisit nga gropat e gëlqeres në Fushë Krujë, ku mjegulla toksike mbulon tërësisht zonën.

Për ministrin Klosi, lufta ndaj këtij fenomeni nuk ka të ndalur, por duket se e kanë të vështirë që ta zhdukin atë duke qenë se kostoja për hapjen e një grope gëlqereje është minimale.

“Në një aksion të para disa muajve kemi mbyllur 33 gropa gëlqeresh. Para pak ditësh policia arrestoi 9 persona. Është një tmerr, djegin goma, materiale toksike. Kemi kërkuar bashkëpunim me banorët, sepse nuk është një investim i madh për të bërë një gropë gelqereje, tymi që çlirojnë ato është me pasoja për zonën e Tiranës, por shumë e dëmshme për Krujën dhe Fushë-Krujën”, u shpreh Klosi, teksa bëri thirrje që banorët e zonës duhet t’i drejtohen shtetit për çdo rast, e media duhet të jetë më aktive për të fituar këtë luftë.

Si një masë për të ndaluar këtë fenomen, por edhe mos shkatërrimin e zonës malore, Klosi vlerësoi edhe vendimin për ta shpallur zonë të mbrojtur malin në Fushë Krujë.

“Janë 13 gurore që funksionojnë në atë zonë, 4 i kemi mbyllur. 6 prej tyre që kanë leje, po negociojmë për t’i mbyllur”, tha Klosi, teksa bëri edhe një krahasim me Malin e Tomorrit, “Në malin e Tomorrit u mbyllën 13 gurore, 2 prej tyre fituan çështjen në Gjykatë, edhe ato të mbyllen. Por tashmë kemi një vendim që Mali i Tomorrit është zonë e mbrojtur, por edhe zona e Malit të Krujës është shpallur zonë e mbrojtur. Po punoj që edhe kur të mos jem unë ministër kjo të mos zhbëhet./Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi