Ftesa e Ramës, Basha i përgjigjet nga Durrësi dhe propozon planin me tre pika: Mbështesim çdo përpjekje të qeverisë…

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte këtë mesditë në lagjen numër 7 të Durrësit, e cila është prekur jo pak nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit.

I pyetur nga gazetarja e “News24” dhe “BalkanWeb”, Erjola Jata, për ftesën e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim, Basha tha ai dhe gjithë opozita mbështesim çdo përpjekje të qeverisë apo të kujtdo tjetër për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve të prekur nga tërmeti.

“Gjendja tragjike e këtyre njerëzve kërkon angazhim konkret, jo poza e teatër. Ne mbështesim çdo përpjekje që iu vjen në ndihmë këtyre njerëzve.

Tani nuk është koha për shfaqje, fotografi. Ne mbështesim çdo përpjekje të qeverisë dhe të çdokujt tjetër për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve, ne do bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta. Tani është koha për veprime të mirëkoordinuara urgjente që të vlerësohet gjendja e banesave dhe t’iu garantohet strehim njerëzve”, tha Basha.

Më tej, kreu i opozitës së bashkuar propozoi një plan me tri pika për t’iu ardhur në ndihmë banorëve, që sipas tij, duhet të nisë me vlerësimin urgjent të banesave, në mënyrë që banorët të mësojnë nëse duhet të kthehen te shtëpitë e tyre apo jo.

“Prioritare është ndihma ndaj njerëzve në nevojë.

Ne mbështesim çdo masë që merret për të ndihmuar këta njerëz dhe po bëjmë gjithçka si opozitë për t’i ndihmuar. Tani është koha për veprime urgjente, konkrete dhe të mirëkoordinuara. Mbrëmë kisha takim me ekspertët e inxhinierët më të mirë të Shqipërisë, ku mësova se kemi të paktën 500 specialistë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre vullnetar.

Unë propozoj një plan me 3 pika: së pari organizimin e këtyre inxhinierëve për të përshpejtuar procesin e vlerësimit të banesave; së dyti vlerësimi me urgjencë dhe ndarja e banesave në të banueshme dhe të pabanueshme; e treta është të përdoren fuqitë që ka qeveria në gjendjen e fatkeqësisë natyrore për të anuluar afër 150 dollarë në buxhet të planifikuar për 10 oligarkë dhe këto t’iu vijnë në ndihmë banorëve.

Këto janë tre pikat që propozoj sot, ndërkohë që ekspertët tanë po punojnë për t’i zhvilluar më tej”, deklaroi kreu i PD.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi