Fryhen lumenjtë, probleme në disa zona

 

 

Reshjet e fundjavës kanë sjellë probleme në disa zona të vendit. Në Shkodër, probleme ka në njësinë Ana e Malit, ku janë përmbytur 50-60 hektarë tokë, por fatmirësisht nuk ka prezencë uji në shtëpi.

 Edhe në Bërdicë, janë përmbytur nga reshjet e shiut rreth 10-15 dynym tokë dhe në fshatin Trush rreth 20-30 ha tokë. Nuk ka prezencë uji në banesa dhe rrugë.

Sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, në qarkun e Kukësit vazhdon të ketë rrëshqitje gruësh e dherash, si dhe të skarpateve, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Firmat kontraktore kanë ndërhyrë dhe janë në gatishmëri me mjete dhe forca për çdo situatë të mundshme nga kushtet atmosferike.
Aksi rrugor rural për në Arrën vazhdon të jetë i bllokuar dhe në Lekbibaj janë 4 fshatra të bllokuar nga dëbora.

Ndërkohë në Dibër rrugët kombëtare janë të gjitha të kalueshme. Nga reshjet e dëborës aktualisht janë të bllokuara 30 familje në Xibër dhe në disa fshatra të bashkisë Bulqizë.

Në Lezhë të bllokuara janë Klos-Xhuxhë, Klos-Konaj, Klos-Sang, në Njësinë Administrative Fan, Reps-Nënshejt, Reps-Lajthizë, në Njësinë Administrative Orosh.
Ndërkaq, është shembur ura që bashkon fshatin Mabe të bashkisë Lezhë me fshatin Barbullush të bashkisë Vau Dejës. Ura ndodhet rreth 100m në largësi të fshatit Barbullush.
Aktualisht nga reshjet e dëborës në të gjithë qarkun janë të izoluara nga dëbora rreth 50 familje kryesisht në Fan, Selitë dhe Orosh.

Në fshatin Cërrujë të Elbasanit, ka pasur një riaktivizim rrëshqitje masive toke. Kjo ka bërë që të rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje kanë shkuar specialistë të bashkisë Elbasan për të parë nga afër situatën. Aksi rrugor rural Qafë Krrabë-Cërrishtë është i bllokuar nga reshjet e dëborës ndërsa Hidrocentrali i Banjës ka filluar shkarkimet me 200 m3/sek për mbajtjen në nivel normal të rezervuarit.

Në Korçë lumi Devoll dhe rezervuari i Sovjanit në bashkinë Maliq është në kuota maksimale. Në Brozdovec dhe Mazrek, të Lekasit, disa fshatra të Moglicës, fshatrat Jollë, Bishnicë, të Velçanit, kanë mungesë me energji elektrike si pasojë e dëmtimit të 3 shtyllave. Grupet e punës së OSHEE janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve.

Në Selenicë të Vlorës si rezultat i prurjeve të lumit ka ndodhur çarja e paneleve mbrojtëse të Stacionit të Pompave të Ujit që furnizon qytetin e Selenicës. Nga dëmtimi i paneleve mbrojtëse Stacioni i Pompave duket si pjesë e shtratit të lumit.

Në Gjirokastër, aksi rrugor rural i Frashërit që lidh fshatrat Miçan, Vërçisht dhe Ogrenj, bashkia Përmet, vazhdon të jetë i bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së masivit shkëmbor.
Aksi rrugor rural i Malëshovës, bashkia Këlcyrë, vazhdon të jetë i bllokuar ndërsa prurjet e lumit Vjosa janë të qëndrueshme dhe niveli arrin rreth 2.5 metër.

 

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi