“Football Republic”, përurohet kompleksi i ri sportiv në Tiranë

Të apasionuarit pas sportit do të kenë një tjetër alternativë profesionale në kryeqytet, për t’u stërvitur dhe për të ushtruar futbollin duke filluar nga moshat më të vogla.

Kompleksi më i ri në kryqytet “Football Republic” ka çelur dyert e ambienteve të tij moderne, me 3 fusha të mëdha futbolli për një kapacitet prej 1.000 personash, në fshatin Barbas të Tiranës.

Themeluesi i saj, ish-lojtari i Dinamos, Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, tashmë opinionist sportiv, Redi Jupi sqaroi më tepër rreth kësaj mundësie për fëmijët e kryeqytetit dhe jo vetëm.

“Është një projekt që është në ëndrrën dhe pasionin tim, por shpresoj të jetë një shërbim i madh edhe për qytetin, për komunitetin. Kemi shumë nevojë për këtë, për të bërë sport në ambiente pa ndotje, ku ka ajër të pastër, ku nuk ka zhurma, e mendoj se kemi gjetur vendin e duhur këtu. Dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë, sepse ai ka qenë këtu edhe para dy vitesh, e në fakt ndihma që ka dhënë ka qenë shumë e madhe. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e tij”, tha Redi Jupi, administrator i “Football Republic”.

I pranishëm në përurimin e këtij investimi të madh sportiv ishte edhe kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj.

“Duam të forcojmë jo vetëm aftësinë për të luajtur, por edhe për të ndërtuar karakter te fëmijët tanë, për t’u thënë se gjërat bëhen më mirë në skuadër. Asnjë nuk bën dot gol i vetëm, nëse dikush tjetër nuk ia pason topin. Asnjë nuk ngrihet dot i vetëm, nëse dikush nuk i jep dorën. Jam shpresëplotë se në këtë fushë nuk do të trajnojmë vetëm futbollistë, por qytetarët e ardhshëm dinjitozë të qytetit të Tiranës”, tha Erion Veliaj.

Kompleksi “Football Republic”, vetëm për fazën e parë të punimeve përfshin 3 fusha të mëdha futbolli, të cilat kanë kapacitet për 1.000 persona, që mund të ushtrojnë aktivitet fizik përgjatë 6 orëve të pasdites.

Të treja fushat janë të mbuluara me ndriçim. Më pas, në projektin e zgjerimit, këtij kompleksi do t’i shtohet një palestër, qendër fizioterapie, një kamp veror, shkollë, 3 fusha minifutbolli, një fushë tenisi dhe një pishinë gjysmëolimpike.

/Top Channel/
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi