Fondacioni Maarif i Turqisë në Maqedoni synon edukimin e individëve cilësorë

Drejtori për Maqedoni i Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV), Mustafa Dillioglu, tha se fondacioni ka nisur aktivitetet në Maqedoni me blerjen e një shkolle private në qytetin e Tetovës, e cila do të ofrojë arsim në nivelin parashkollor, fillor dhe të mesëm, dhe se kjo shkollë nuk do të ngelet vetëm në këtë qytet, por do të hapin shkollat edhe në Shkup dhe qytete të tjera sipas nevojës.

Duke folur për Agjensinë Anadolli, Dillioglu tha se tanimë kanë hapur strukturat e tyre në pesë shtete në Ballkan, përfshirë Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Rumaninë.

“Ne po nisim aktivitetet në Maqedoni me blerjen e një shkolle private në qytetin e Tetovës. Në këtë shkollë do të ofrohet arsim në nivelin parashkollor, fillor dhe të mesëm. Kjo shkollë nuk do të ngelet vetëm në këtë qytet, por do të hapim shkollat edhe në Shkup dhe qytete të tjera sipas nevojës”, tha Dillioglu.

Ai paralajmëroi se deri në muajin shtator në Shkup planifikojnë hapjen e një kopshti fëmijësh.

“Ekziston një ndërtesë të cilën do ta shndërrojmë në kopsht. Synojmë që të arrijmë deri në muajin shtator dhe të fillojmë nga kopshti në Shkup. Shpresojmë të mos ngelim vonë dhe në vitin e ardhshëm akademik, si dhe në vitin akademik 2019-2020, këtu të hapim një shkollë në të cilën do të mund të ofrojmë arsim fillor dhe të mesëm”, theksoi Dillioglu.

– “Do të ofrojmë arsim në përputhje me planprogramin e ministrisë së arsimit”

Ai nënvizoi se në Maqedoni do të ofrojnë arsim në përputhje me planprogramin e Ministrisë së Arsimit të këtij vendi dhe sipas standareve ndërkombëtare, duke shtuar se krahas lëndëve obligative të ministrisë, do të zbatojnë edhe një planprogram të pasuruar me 17 orë shtesë të cilin e emëroi si modeli i Maarifit.

Dillioglu shprehu dëshirën për të krijuar bazament për edukimin e individëve cilësorë dhe rritjen e nivelit të arsimit në Maqedoni.

“Do të kemi lëndë shtesë si shkathtësitë e mbijetesës, lojërat e intelektit, teknologjitë informative, kodimi dhe të ngjashme, një planprogram me mësime shtesë. Në shkollën tonë do të ofrojmë modelin arsimor multilingual, së bashku me anglishten, vlera e së cilës rritet vazhdimisht, si dhe gjuhë të tjera të huaja. Ne dëshirojmë të punojmë me një kuadër arsimtarësh profesionalë të zgjedhur me kritere objektive. Kemi qëllim të punojmë me mësuesit më të mirë në këtë fushë në Maqedoni. Në lidhje me këtë, ne do të përfshijmë edhe këshillim profesional, punime udhëzuese dhe aktivitete për orientimin e nxënësve të përqendruar në talentet”, theksoi drejtori i TMV-së për Maqedoni.

Duke folur edhe për tiparet që dallojnë shkollat e Fondacionit Maarif nga shkollat e tjera në vend, Dillioglu tha: “Nxënësit do t’i angazhojmë në fushën e aktiviteteve sociale, konkretisht në aktivitete kulturore, artistike dhe sportive, në fusha si klubet, shkenca, arti, sporti, shëtitjet, kultura, letërsia dhe lidershipi. Projekte e përgjegjësisë sociale, edukimi rreth vlerave, pjesëmarrja në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, shëtitjet rajonale dhe ndërkombëtare, programet e këmbimit të nxënësve dhe mundësitë për arsimim në Turqi do të jenë të hapura deri në fund”.

Shkolla e fondacionit në Tetovë përbëhet nga 44 klasa, biblioteka, kabinetet, sallat e konferencës, sportit dhe aktiviteteve, punëtoritë dhe konvikti i nxënësve, tha Dillioglu.

– “Më 2 qershor do të realizojmë testim për bursa për nxënësit”

“Më 2 qershor të vitit 2018, ditë e shtune, do të realizojmë testin për bursa për nxënësit tanë. Në këtë testim janë të ftuar të gjithë nxënësit në Maqedoni. Le të vijnë dhe të marrin pjesë në testimet tona, të përfitojnë nga mundësitë tona për bursa. Krahas bursave, që do të marrin, atkualisht ekzistojnë lirime në regjistrimet e hershme deri më 1 korrik. Ata mund të përfitojnë nga mundësitë për t’u arsimuar me çmime të volitshme edhe përmes këtyre lirimeve, edhe përmes bursave që do t’i fitojnë nga testimi. Në këtë drejtim, do të ketë oferta speciale, lirime speciale dhe lirime grupore”, njoftoi Dillioglu.

Në testimin për bursa mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e 13-të, ndërsa ai do të zhvillohet në tri gjuhë, përfshirë gjuhën shqipe dhe atë maqedonase, tha Dillioglu.

“Aktualisht, arsimi nga klasa e parë deri në të pestën në shkollën tonë zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe, kurse nga klasa e gjashtë deri në të nëntën lëndët themelore janë në gjuhën shqipe, kurse ato numerike në gjuhën angleze. Ndërkaq, gjuha mësimore në nivelin e mesëm është anglishtja. Do të ketë mësim të shumë gjuhëve, së bashku me maqedonishten, anglishten, turqishten dhe gjermanishten. Nuk përjashtohet mundësia edhe e hapjes së procesit arsimor në gjuhën turke në nivelin klasor, nëse nga nxënësit ka një kërkes të caktuar”, u shpreh Dillioglu.

Sipas tij, shkolla në Tetovë ka kapacitet për një mijë persona dhe janë duke bërë përpjekje për ta mbushur tërë këtë kapacitet. Ai tha se aplikimi për testimin për bursa do të mund të bëhet në faqen e internetit www.maarifschools.edu.mk.

I hapur në vitin 2016 si një fondacion shtetor për të ofruar shërbime arsimore dhe hapur institucione arsimore jashtë Turqisë, Fondacioni Maarif i Turqisë deri më tani ka hapur përfaqësi në 40 shtete të ndryshme, përfshirë Afrikën, Azinë, Ballkanin dhe Amerikën, ndërsa posedon 110 shkolla në 22 shtete të ndryshme, tha Dillioglu./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi