Fluksi i migrantëve, Trump imponon taksë 5% ndaj mallrave meksikane

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se Washingtoni do të imponojë taksë 5 për qind ndaj mallrave të Meksikës për të rritur presionin në parandalimin e “fluksit të pandërprerë të të huajve të paligjshëm”.

“Ndëshkimi i ri do të hyjë në fuqi më 10 qershor dhe do të vazhdojë derisa kriza e emigracionit të paligjshëm të lehtësohet nëpërmjet veprimeve efektive të ndërmarra nga Meksika”, tha Trump.

Trump theksoi se nëse kriza vazhdon më 1 korrik taksat do të rriten në 10 për qind, ndërsa më pas do të rritet me 5 për qind për çdo muaj derisa të arrijnë 25 për qind në tetor.

“Taksat do të mbeten përgjithmonë në nivelin 25 për qind dhe derisa Meksika të ndalojë fluksin e paligjshëm të të huajve që vijnë përmes territorit të saj. Nëse Meksika vendos të mos bashkëpunojë për reduktimin e emigracionit të paligjshëm, imponimi i vazhdueshëm i taksave do të prodhojë një kthim masiv të vendeve të punës në qytetet amerikane”, deklaroi Trump.

Që kur ka ardhur në detyrë, Trump ka ushtruar një qasje të ashpër ndaj migrimit, atij të ligjshëm dhe të paligjshëm, duke veçuar Meksikën për të cilën thotë se ka mungesë të veprimit në parandalimin e fluksit të emigrantëve nga Amerika Qendrore, nga ku njerëzit po ikin nga varfëria dhe dhuna e bandave me shpresë për të siguruar azilin në SHBA.

Trump po përdor Aktin e Fuqive Ekonomike Ndërkombëtare Emergjente. Kjo u lejon presidentëve të imponojnë taksat e importit gjatë një emergjence kombëtare, që Trump e deklaroi në muajin shkurt për të fituar fonde për murin e tij të kufirit të premtuar në kufirin amerikano-meksikan.

Kritikët, kryesisht demokratë dhe grupe ligjore, megjithatë insistojnë se asnjë emergjencë e tillë nuk ekziston, duke e parë deklarimin si një akt të teatrit politik për presidentin.

Mbetet e paqartë se si taksat do të ndikojnë në marrëveshjen trepalëshe të tregtisë së lirë, të cilën SHBA-të e nënshkruan me Kanadanë dhe Meksikën vitin e kaluar, por që ende nuk është ratifikuar. Administrata e presidentit Trump ka kërkuar të kalojë Kongresin që të zëvendësohet me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi